back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 9 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaShkresa – Avokati i Popullit përfshihet në skandal / Vihet në alarm...

Shkresa – Avokati i Popullit përfshihet në skandal / Vihet në alarm Kuvendi

Një grup punonjësish të institucionit të Avokatit te Popullit i është drejtuar me një kërkesë të fortë Kuvendit të Shqipërisë, me 7 maj 2026, duke ngritur një seri akuzash serioze për mënyrën e drejtimit, administrimit dhe funksionimit të institucionit kushtetues që drejtohet nga Endri Shabani.

Shkresa, e dërguar në emër të “shumë punonjësve të institucionit”, është adresuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe i është përcjellë për dijeni edhe tre komisioneve parlamentare, përfshirë Jorida Tabaku, Fatmir Xhafaj dhe Ulsi Manja.

Shkarkime, pezullime dhe “dorëheqje të imponuara”

Punonjësit pretendojnë se institucioni i Avokati i Popullit është larguar nga misioni i tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe është përfshirë në praktika që, sipas tyre, cenojnë funksionimin normal të administratës së brendshme.

Ata flasin për një “prirje të vazhdueshme përkeqësimi” në menaxhim, mungesë transparence dhe vendimmarrje të centralizuar.

Një nga akuzat më të rënda lidhet me trajtimin e stafit. Sipas kërkesës, në institucion janë ndërmarrë pezullime nga puna, largime të stafit pa argumentim, “dorëheqje të imponuara” si dhe zëvendësime pa procedura konkurimi.

Punonjësit pretendojnë se këto veprime janë bërë në mungesë të transparencës dhe në shkelje të procedurave ligjore, duke goditur parimin e meritokracisë.

Në dokument përmendet gjithashtu pezullimi dhe nisja e procedurave disiplinore ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit, një veprim që punonjësit e konsiderojnë të pajustifikuar dhe destabilizues.

Sipas tyre, ky hap ka rritur tensionet dhe pasigurinë brenda administratës.

Një tjetër pikë e fortë është pretendimi për presion psikologjik ndaj stafit, si dhe urdhra që, sipas tyre, bien ndesh me ligjin dhe standardet e shërbimit civil.

Si pasojë, tre punonjës të kabinetit kanë dhënë dorëheqje, ndërsa priten edhe largime të tjera, gjë që përshkruhet si shenjë e një krize të brendshme në institucion.

Çorganizim i strukturave dhe “bllokim funksionesh”

Punonjësit pretendojnë se strukturat e brendshme janë çorganizuar, duke përfshirë lëvizje të stafit pa analizë profesionale dhe pa përputhje me ekspertizën përkatëse.

Sipas tyre, kjo ka dëmtuar seriozisht sektorë të specializuar, veçanërisht atë për të drejtat e fëmijëve.

Gjithashtu, ata thonë se disa njësi, përfshirë sektorin e marrëdhënieve me jashtë, janë zhveshur nga funksionet e tyre dhe janë përdorur për detyra administrative dytësore.

Në kërkesë theksohet se institucioni është larguar nga detyrat thelbësore, si hartimi i rekomandimeve, ndjekja e rasteve të qytetarëve, strategjitë institucionale si dhe nga zbatimi i rezolutave të Kuvendit

Në vend të tyre, sipas punonjësve, fokusi është zhvendosur drejt aktiviteteve dytësore dhe menaxhimit të imazhit publik.

Një tjetër akuzë lidhet me mungesën e bashkëpunimit mes drejtuesit të institucionit dhe komisionerëve, si dhe mungesën e takimeve të rregullta.

Sipas tyre, komisionerët shpesh nuk përfshihen në takime zyrtare, duke cenuar vendimmarrjen kolegjiale dhe transparencën institucionale.

Në dokument përmendet edhe kërkesa për kontroll nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që sipas punonjësve është përdorur si instrument presioni ndaj stafit, në një kohë kur institucioni ishte audituar më parë së fundmi.

Shqetësime për të dhënat personale

Punonjësit ngrenë gjithashtu shqetësime për mënyrën e mbledhjes së të dhënave sensitive të qytetarëve, duke pretenduar se janë shtuar kërkesa për dokumente dhe kontakte personale që më parë nuk aplikoheshin.

Sipas tyre, kjo krijon rrezik për privatësinë dhe mungesë transparence në trajtimin e ankesave.

Në një nga akuzat më të forta, thuhet se pavarësisht muajve në detyrë të drejtuesit aktual, nuk janë prodhuar rekomandime të rëndësishme dhe një numër i madh dosjesh ka mbetur i pazgjidhur.

Sipas tyre, aktiviteti institucional është zhvendosur drejt komunikimit publik dhe rrjeteve sociale, në dëm të punës thelbësore.

Thirrja për ndërhyrje të Kuvendit

Në fund të kërkesës, punonjësit i kërkojnë Kuvendit hetim të plotë mbi veprimtarinë e institucionit të Avokati i Popullit, verifikim të ligjshmërisë së vendimmarrjeve të Endri Shabani, rikthim të funksionimit kushtetues të institucionit, garantim të sigurisë dhe të drejtave të punonjësve. Punonjësit theksojnë se ankesa është dorëzuar pa emra për shkak të frikës nga pasojat e mundshme, duke e përshkruar situatën si “klimë presioni dhe pasigurie të thellë” brenda institucionit./ E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat