Për kosovarët që protestojnë në Tiranë!
Natyrshëm ska asgjë të keqe; ata e kanë vendin e tyre. Ne vërtet jemi dy shtete por jemi një komb dhe një shqetësim. Le të rrijë ky si përkufizim bazë.
Veçse ka një gjë të shëmtuar; kur protesta nuk është aq e natyrshme si shqetësim i rrjedhshëm e i natyrshëm por është ndërhyrje politike për rrëzim qeverie; kjo në emër të “konkurencës politike”.
Sali Berisha dikur merrte çuna të farkut nga Kosova për të rrëzuar Fatos Nanon në Tiranë sepse segmente të LDK-së dëshironin rrëzimin e Nanos. Krahu LPK dëshironte Nanon në pushtet.
Në wikileaks Hashim Thaçi i kërkonte ambasadorit amerikan të mos lejonte Sali Berishën të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës. Ndërkohë Edi Rama niste njerëz nga Tirana për të “bërë vota” në Kosovë, ndërhyrje të cilat i organizon edhe sot.
Politikanët Shqipëri-Kosovë ndërhyjnë jo prej ndonjë dashurie të madh për të përmirësuar diçka në vendin ku po ndërhyjnë por, ndërhyjnë si faktor pushteti për tia rritur vlerën pushtetit të tyre në tavolinat në BE e ShBA.
Ky profiteri i traumës kosovare, Albin Kurti, futi duart në Maqedoni dhe e fëlliqi duke e katandisur faktorin shqiptar në sindikatë; rezultati është se kanë forcuar në parti shovene maqedonase e cila edhe sheshet me emra shqiptarë i ka kthyer në emra jugosllavë. E gjitha për të rritur ndikimin në ato tavolinat jashtë, duke çuar mesazhin se jemi faktorë pushteti, pa marrë parasysh dëmin që shkaktohet afatgjatë. Tash mendon se kjo logjikë i ecën edhe në Shqipëri, duke rekrutuar politikanë ftujakë të dëshpëruar për karrierë; por duke qenë totalisht i vetëdijshëm se në Shqipëri ia presin veshët.
Nuk ia pret mafia as kasapi por sepse mileti këtu janë cinikë, janë të vaksinuar nga ai virus, si dhe nuk kanë të njejtën traumë si shqiptarët e Kosovës.
Të njejtën gjë ka bërë dhe bën Edi Rama në raport me Kosovën.
Politika e shteti përveçse në sofizma e teorizim, në thelb bazohen në diçka krejt primitive: sa buk çon në shtëpi i zoti i shtëpisë. Pra sa gjah çon mashkulli gjahtar në shpellë aty ku ka lënë gruan e fëmijët dhe sa siguri garanton heshta e vet kundër egërsirave dhe meshkujve të tjerë grabitës. E në ketë pikë Kosova ka problem të madh; i zoti i shpisë nuk po mundet të çojë buk në shtëpi.
Në pamundësi për të konsoliduar ekonominë, mekanizmat e shtetit dhe për të garantuar stabiliteti, i ushqejmë e i ngijmë miletin me misionarizëm. Gjoja mision patriotik të çlirojmë pjesët e tjera nga tradhëtarët. Duke i caktuar vetes “epërsi patriotike” fallso. Kush nuk mundet të ndërtojë patriotizëm ekonomik e shtetëror, degradon në patriotizëm misionar e folklorik.
Monstrat kanë ngritur një steriotip sikur Tirana ka qenë historikisht e shitur e prandaj duhet “spastruar” Tirana. Tirana ka 100 vjet e themeluar si qendër politike e pa dyshim ka influencat e veta sepse së pari i është dashur të mbijetojë vetë e për vete. E në ketë luftë mbijetese sidoqoftë duhet pranuar se nëse sdo kishte qenë Tirana për të ndihmuar, lëvizja patriotike e Kosovës do të kishte qenë shumë më e dobët e shumë më minore. Mirëpo viktimat dhe pronarët e viktimave propagandojnë se tradhëtia është Tirana dhe shqiptarët e Shqipërisë; formë titizmi kjo. Pushteti në Tiranë duhet të ndërrohet shpesh si ushtrim normal politik e ristartim interesash, si kudo.
Integrimi Kombëtar nuk ndodh kështu, duke shpërfaqur ndaj njëri-tjetrit anët më të këqija të njëri-tjetrit. Nuk ndodh Integrimi Kombëtar kur interesimi për njëri-tjetrin shkon deri në nivel mercenar, përdorim pushtet e kontigjente vetëm për të ndikuar në pushtet e asgjë tjetër. Më keq se kaq, po i marrim njëri-tjetrit më të keqen; Kosova sjell në Shqipëri albatrosa, Shqipëria çon andej benblusha.
Ne kemi nevojë për Platformën e Integrimit Kombëtar. Strategji e përbashkët biznesi, strategji e përbashkët arsimi, turizmi, mbrojtjeje etj. Nëse shkëmbimi ynë është vetëm mercenarizmi kundrejt njëri-tjetrit me qëllim ndikimin e zhvillimeve pushtetore, kam frikë se do nisim të marrim inat njëri-tjetrin për shkaqe meskine pushteti.
Ndaj duhet të “ndërhyjmë” tek njëri-tjetri vetëm në kuadër të Platformës së Integrimit Kombëtar, jo në vogëlsira pushtetore.



