Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.1 milionë euro, të cilat dyshohet se kanë origjinë nga aktiviteti kriminal i një organizate të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e hetuar për trafikimin e 18 tonëve drogë nga Amerika Latine drejt porteve europiane.
Sipas SPAK, në krye të kësaj strukture kriminale dyshohet se qëndrojnë dy shtetasit shqiptarë, Ervis Çela dhe Franc Çopja, i njohur edhe me identitetin Franc Gergely. Ky i fundit është arrestuar në Belgjikë, ndërsa Çela është arrestuar në Shqipëri.
Hetimet, të zhvilluara për disa vite në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kanë zbuluar një organizatë të strukturuar në mënyrë vertikale, me të paktën 16 persona të identifikuar dhe shumë të tjerë ende të paidentifikuar. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021 dhe kishte lidhje të konsoliduara me organizata kriminale në Paraguaj dhe Brazil.
Përveç dokumentimit të aktivitetit të trafikut të drogës, hetimi është përqendruar edhe te gjurmimi i pasurive që dyshohet se janë krijuar me të ardhurat nga veprimtaria kriminale, përfshirë asetet në emër të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestron preventive mbi një sërë pasurish të paluajtshme, biznese, llogari bankare dhe automjete.
Në listën e pasurive të sekuestruara është edhe “Solis Farm”, një subjekt që ushtron aktivitet në fushën e agroturizmit, hotelerisë, akomodimit dhe shërbimeve bar-restorant, në fshatin Mumajes, në Baldushk të Tiranës. Sekuestroja përfshin 100% të kuotave të kompanisë, pasuritë e paluajtshme ku zhvillohet aktiviteti, godinën e restorantit dhe pajisjet e saj.
Gjithashtu, është sekuestruar edhe një llogari bankare në emër të shtetases D.Gj., pranë Raiffeisen Bank, me një gjendje prej 71.268 eurosh.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e pasurive lidhet me shtetasit Albin Çela dhe Riza Çela. Në emër të tyre dhe në bashkëpronësi janë sekuestruar disa prona në zonën e Sharrës në Tiranë, ku janë ndërtuar kapanone industriale dhe objekte për ushtrimin e aktivitetit tregtar.
Lista përfshin gjithashtu një vilë të porositur pranë kompanisë “NG Structures” dhe interesat ekonomikë në shoqërinë “Giam Konstruksion”, me aktivitet në Kavajë.
Sipas aktit të ekspertimit, Albin Çela dhe Riza Çela kanë investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa kostoja e ndërtimit të katër objekteve të ngritura mbi këto sipërfaqe vlerësohet në më shumë se 1.2 milionë euro.
Në fokus të sekuestrimeve është edhe resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, i lidhur me shtetasin Fadil Balla. Kompleksi përfshin hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente të tjera tregtare, ndërsa sipas ekspertimit teknik-vlerësues, investimi në këtë resort arrin në 463.1 milionë lekë.
Në listën e pasurive të sekuestruara në emër të tij është edhe një vilë dykatëshe në kompleksin turistik “Ionian Olea”, në Dhërmi. Prona, e tipit “Elysian”, ka një sipërfaqe totale rreth 378.2 metra katrorë, përfshirë ambientet e banimit, ballkonet, verandën dhe parcelën në dispozicion. Vlera e saj e tregut është vlerësuar në rreth 1 milion euro.
Ndërkohë, në emër të shtetasit F.C. është sekuestruar 100% e kuotave të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., me seli në Tiranë, si dhe 25 automjete të regjistruara në pronësi të saj. Vlera e mjeteve, pas zbritjes së amortizimit, përllogaritet në rreth 69.9 milionë lekë.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu 130 mijë euro cash, automjete dhe sende të tjera me vlerë.
Në total, vlera e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet në rreth 9 milionë e 181 mijë euro.



