Operacioni i fundit i SPAK, i cili goditi emra të njohur të botës së krimit dhe biznesit në kryeqytet, ka nxjerrë në dritë një tjetër skemë të dyshuar për përfitimin e fondeve publike përmes procedurave të shpronësimit.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një truall me sipërfaqe 5,269 metra katrorë, i ndodhur në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”, ku aktualisht ndodhet projekti i njohur si “Shkolla e Biçikletave”.
Nga hetimet rezulton se prona ishte në bashkëpronësi dhe se pjesë të saj ishin përfituar përmes kontratave të dhurimit nga persona nën hetim, mes tyre Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, Artur Shehu dhe Elton Memeti. Kujtohet se Dizdari u godit më herët nga SPAK si drejtues i kartelit të drogës “Bello”.
SPAK bën me dije se me vendimin nr. 29 të datës 7 nëntor 2021, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi pasurinë në fjalë, duke përfshirë edhe pjesën takuese të Denis Matoshit, si dhe të drejtën e tij për të përfituar nga procesi i shpronësimit. Sipas dosjes, vlera paraprake e kompensimit për pjesën e tij ishte rreth 8.1 milionë lekë, ndërsa aktualisht pasuria është konfiskuar.
Megjithatë, edhe pse një pjesë e pronës ishte nën sekuestro, trualli u shpronësua më pas nga shteti shqiptar me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të projektit me interes publik “Shkolla e Biçikletave”, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 510, datë 27 korrik 2022.
Për këtë pronë, shteti akordoi një fond prej 352.8 milionë lekësh, me një vlerë prej 66.969 lekësh për metër katror, shumë e cila u nda mes bashkëpronarëve.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se përpara procesit të shpronësimit janë kryer dhjetëra transaksione të dyshimta. Sipas dokumenteve të administruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nga viti 2017 deri në vitin 2022 janë realizuar një sërë kontratash dhurimi mes pronarëve fillestarë, personave nën hetim dhe palëve të treta.
Prokuroria dyshon se këto lëvizje të pronësisë janë kryer në mënyrë të koordinuar, me qëllim përfitimin e kompensimeve financiare nga shpronësimi i mëvonshëm.
Në dosje përmendet gjithashtu edhe shoqëria “A@AMIV” sh.p.k., e regjistruar në vitin 2020, me ortak Joanis Liaçis, i njohur edhe si Klodian Liçaj. Sipas SPAK, kjo kompani nuk dispononte licencat dhe kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e projektit për të cilin kërkohej leja e zhvillimit.
Trualli në fjalë ndodhet në një nga zonat me vlerën më të lartë ekonomike në kryeqytet, ngjitur me stadiumin “Air Albania”, çka e bën atë një nga pasuritë më të lakmuara për zhvillim.



