back to top
24.2 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaSurreli, apartamentet dhe milionat në bankë/ Si u zgjerua pasuria e familjes...

Surreli, apartamentet dhe milionat në bankë/ Si u zgjerua pasuria e familjes Rama

Pasuria e kryeministrit Edi Rama dhe e familjes së tij ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë periudhës 2013-2024, duke reflektuar shtimin e aseteve, lëvizjet në llogaritë bankare, të ardhurat nga krijimtaria artistike, aktivitetet profesionale të bashkëshortes Lindita Rama dhe investimet e kryera ndër vite.

Në deklaratën fillestare të dorëzuar në vitin 2013, Edi Rama deklaronte si pronë personale një apartament parafabrikat prej 59 metrash katrorë në Tiranë, të përfituar përmes privatizimit dhe të rivlerësuar në vitin 2012 me vlerë 5.4 milionë lekë. Gjithashtu, ai deklaronte një studio artisti prej 65 metrash katrorë, të trashëguar nga i ati, me vlerë 2.5 milionë lekë.

Në të njëjtën deklaratë figuron edhe shtëpia e banimit në Surrel, e ndërtuar në kushtet e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, me vlerë ndërtimi 39.6 milionë lekë. Në momentin e deklarimit, pasuria rezultonte pa titull pronësie, ndërsa justifikohej me dokumentacionin e lejes së ndërtimit.

Në vitin 2013, kryeministri deklaronte gjithashtu rreth 2 milionë lekë në llogari bankare, afro 989 mijë lekë cash, një kredi të mbetur nga viti 2000 dhe detyrime të papaguara që lidhen me ndërtimin e banesës në Surrel.

Ndërkohë, Linda Rama deklaronte një apartament prej 146.15 metrash katrorë në Tiranë, së bashku me verandë dhe garazh, si dhe tokë arë në Surrel me sipërfaqe 4 483.5 metra katrorë. Po ashtu, ajo deklaronte një hua pa interes prej 70 mijë eurosh, e dhënë ndaj personave të tretë.

Tetë vite më vonë, në deklarimin e vitit 2021, pasuria e familjes paraqitet e zgjeruar dhe e konsoliduar. Shtëpia në Surrel rezulton tashmë e regjistruar mbi një sipërfaqe totale prej 5 370 metrash katrorë, ku është ndërtuar një banesë njëkatëshe me sipërfaqe 490 metra katrorë. Vlera e deklaruar e kësaj pasurie arrin në 41 milionë lekë.

Në të njëjtin vit, Lindita Rama deklaron mbi 31.7 milionë lekë në llogari bankare, ndërsa specifikohet se në këto llogari janë depozituar edhe të ardhurat nga shitja e veprave artistike të Edi Ramës. Vetëm gjatë vitit 2021, kryeministri deklaron 17 mijë euro të ardhura nga krijimtaria artistike dhe rreth 2 milionë lekë të ardhura nga paga si kryeministër.

Po gjatë vitit 2021 mbyllet edhe kredia prej 80 mijë eurosh, e marrë në vitin 2013.

Në vitin 2022, pasuritë e familjes zgjerohen më tej. Lindita Rama deklaron blerjen e dy parcelave toke me sipërfaqe 500 dhe 600 metra katrorë, me vlerë totale 55 mijë euro. Ndërkohë, djali Gregor Rama deklaron blerjen e një apartamenti prej 99.5 metrash katrorë me vlerë 9.5 milionë lekë dhe të një garazhi me vlerë 1 milion lekë, duke deklaruar se burimi i krijimit janë të ardhurat nga aktiviteti artistik dhe shitja e veprave të tij.

Në vitin 2023, familja Rama shënon një nga investimet më të mëdha të viteve të fundit. Lindita Rama deklaron nënshkrimin e një kontrate porosie për blerjen e një pasurie të re me sipërfaqe 107.33 metra katrorë dhe një vendparkim në zonën “Vaso Pasha – Pjetër Bogdani” në Tiranë. Për këtë kontratë deklarohet se janë paguar 200 mijë euro, ndërsa detyrimi i mbetur arrinte në 229 mijë euro dhe do të shlyhej deri në mesin e vitit 2024.

Po gjatë vitit 2023, të ardhurat e Edi Ramës nga krijimtaria artistike arrijnë në më shumë se 5 milionë lekë, ndërsa paga si kryeministër kap vlerën e 2.74 milionë lekëve.

Në deklarimin e vitit 2024, rezulton se detyrimi prej 229 mijë eurosh është shlyer plotësisht. Në të njëjtin vit, Lindita Rama deklaron marrjen e një kredie të re bankare prej 200 mijë eurosh me afat shlyerjeje deri në vitin 2034, nga e cila në fund të vitit mbeteshin pa shlyer rreth 191 mijë euro.

Ndërkohë, të ardhurat e Edi Ramës gjatë vitit 2024 arrijnë në rreth 3.67 milionë lekë nga paga dhe mbi 7.16 milionë lekë të ardhura të tjera.

Nga analiza e deklarimeve ndër vite, dalin disa elementë që tërheqin vëmendje. Një prej tyre lidhet me ndryshimet në sipërfaqet e pasurive të trashëguara krahasuar me deklaratën fillestare të vitit 2013. Gjithashtu, huaja prej 70 mijë eurosh e deklaruar nga Lindita Ramës në vitin 2009 vijon të figurojë në deklarimet e mëvonshme. Po ashtu, deklarimet tregojnë se të ardhurat nga shitja e veprave artistike të kryeministrit janë depozituar në llogaritë bankare të bashkëshortes.

Një tjetër element që bie në sy është investimi për pasurinë e re në qendër të Tiranës, i cili u pasua në vitin 2024 nga marrja e një kredie të re prej 200 mijë eurosh.

Deklarimet e pasurisë tregojnë se përgjatë më shumë se një dekade, pasuria e familjes Rama ka kaluar nga një strukturë e përbërë kryesisht nga pasuri të trashëguara dhe detyrime financiare, në një portofol më të zgjeruar me pasuri të paluajtshme, llogari bankare, të ardhura nga aktiviteti artistik dhe investime të reja./ E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat