Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar një procedim penal për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me një objekt shumëkatësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kaçaj”, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Hetimi është nisur pas referimeve të bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Dyshimet kryesore lidhen me tejkalimin e lejes së ndërtimit, shitjen e njësive në mënyrë pjesërisht informale dhe mosdeklarimin e plotë të të ardhurave.
Sipas materialeve hetimore, objekti i ndërtuar nga shoqëria “Mirson 2A” sh.p.k., e lidhur më pas me “Soni Idea Studio” dhe subjekte të tjera, dyshohet se ka pësuar ndryshime nga projekti i miratuar, përfshirë edhe shtesa të paautorizuara në kate.
Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu raste të dyshuara të shitjes së apartamenteve përmes kontratave të porosisë dhe pagesave të pjesshme të kryera jashtë sistemit bankar.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar dhe administruar kontrata, dëshmi dhe dokumente nga institucione të ndryshme, mes tyre Bashkia e Tiranës dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Sipas të dhënave paraprake, ndaj objektit janë marrë më herët edhe masa administrative për shkelje gjatë ndërtimit, por punimet kanë vijuar.
Dosja përfshin gjithashtu dyshime për mosveprim nga ana e disa strukturave përgjegjëse për kontrollin e territorit, të cilat, sipas materialeve hetimore, nuk kanë ndërhyrë në kohë pavarësisht konstatimeve të bëra në terren.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në banesat e disa personave të dyshuar, por disa prej tyre nuk janë gjetur në adresat e deklaruara. Konkretisht, nuk janë lokalizuar shtetasit Ferdinand Shtembari dhe Mirsim Jella.
Për këtë arsye, ndaj tyre është bërë shpallja në kërkim policor me qëllim lokalizimin dhe marrjen në pyetje. Burime nga hetimi sqarojnë se bëhet fjalë për një procedurë standarde dhe jo për masë arresti apo ndalimi.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe administrative të personave dhe subjekteve të përfshira në këtë çështje.



