Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në homazhet e zhvilluara në nder të efektivit të policisë, Enea Mekolli, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë kryerjes së detyrës, në një operacion për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim.
Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, kolegë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, ndërsa momentet më të forta u regjistruan gjatë komunikimit mes familjarëve të viktimës dhe kreut të shtetit.
I tronditur nga humbja e nipit të tij, xhaxhai i Enea Mekollit iu drejtua presidentit Bajram Begaj me tone të ashpra, duke ngritur akuza për mungesë sigurie dhe përgjegjësie institucionale në operacionin ku mbeti i vrarë efektivi.
“Bëhuni zot, e latë vendin në dorë të kriminelëve. Po sundojnë kriminelët në çdo cep të Shqipërisë. Nuk dominon policia, por dominon krimi. Na fundosët, na mbyllët derën. E dërguat atje pa marrë masa mbrojtëse”, u shpreh ai gjatë ceremonisë.
Familjarët ngritën shqetësime lidhur me masat e sigurisë të ndërmarra gjatë operacionit, duke pretenduar se efektivi ishte dërguar në një ndërhyrje me rrezik të lartë pa mbështetjen e nevojshme.
Ngjarja tragjike ndodhi në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku forcat e policisë kishin shkuar për të ekzekutuar një urdhër arresti ndaj personit të shpallur në kërkim, Violand Braçellari.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



