Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gazetari Elton Tozaj ka rrëfyer detaje tronditëse nga sulmi fizik që iu bë një ditë më parë, duke treguar se katër persona e kanë pritur në një furgon pranë banesës së tij dhe e kanë goditur me leva hekuri, në momentin që ai ka dalë nga shtëpia.
Në një lidhje direkte për emisionin “Kosova Live” në televizionin T7, Tozaj u shfaq me kokën tërësisht të fashuar, ndërsa tregoi se autorët e kanë goditur nga pas, duke e lënë pa ndjenja. Sipas tij, sulmuesit kanë tentuar më pas ta tërheqin zvarrë drejt furgonit, me qëllim që ta fusnin brenda.
Gazetari tregoi se ngjarja ndodhi teksa po largohej nga banesa për të zhvilluar një takim me një producent dhe një gazetare, me të cilët kishte planifikuar një bashkëpunim për realizimin e tri episodeve të një rrëfimi.
“Kam dalë nga shtëpia. Në momentin që kam dalë, kanë zbritur katër njerëz, ose edhe më shumë. Kam ndjerë goditje këtu pas në kokë, me levë, kam rënë pa ndjenja”, rrëfeu Tozaj.
Ai tha se autorët kanë tentuar ta fusin me forcë në furgon, por ndërhyrja e banorëve të zonës, të cilët kanë parë skenën dhe kanë bërtitur, ka bërë që sulmuesit të mos arrinin ta merrnin me vete.
“Kanë tentuar për të më tërhequr zvarrë për të më futur në furgon, por di që ka pasur banorë që e kanë parë, kanë ulëritur dhe falë atyre kam shpëtuar pa më hipur në furgon”, deklaroi gazetari.
Tozaj nuk ka dhënë detaje të tjera mbi identitetin e personave që e sulmuan dhe motivet e ngjarjes. Sulmi ndaj tij ngre shqetësime për sigurinë e gazetarëve dhe ushtrimin e profesionit të tyre pa kërcënime dhe dhunë.



