Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një dokument i Gjykatës së Posaçme, që arsyeton nevojën e mbajtjes së ish-kryespiunes Vlora Hyseni në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, zbulon dyshimet e Prokurorisë së Posaçme për një rrezik konkret arratisjeje, nëse ajo do të lihej e lirë.
Sipas materialeve të dosjes, SPAK dyshon se të paktën dy shtetas izraelitë mund të ndihmonin ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror të largohej nga Shqipëria, për t’iu shmangur hetimit penal.
Në dokumentin e siguruar nga “Boldnews.al”, Gjykata i referohet komunikimeve të ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me dy shtetas të huaj, të identifikuar me emrat Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces.
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Sipas dokumentit, ky rrjet ndërkombëtar shton rrezikun që Hyseni, nëse do të lihej në gjendje të lirë, të kishte akses në kanale largimi apo fshehjeje jashtë kontrollit të organeve proceduese.
Në materialet hetimore nuk jepen detaje të mëtejshme mbi dy shtetasit izraelitë, por ata përmenden si persona të njohur të Ergys Agasit dhe pjesë e rrjetit që dyshohet se drejtohej prej tij.
Hyseni kërkon zbutjen e masës së sigurisë
Ndërkohë, ish-kryespiunia Vlora Hyseni i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me kërkesë për lehtësimin e masës së sigurisë. Ajo ndodhet aktualisht në “Arrest në shtëpi” dhe kërkon zbutjen e kësaj mase.
Në seancën e fundit, prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kërkuan më shumë kohë për përgatitjen e kundërshtimeve ndaj kërkesës së mbrojtjes. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorëve, duke lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi.
Sipas komunikatës zyrtare të SPAK, ndaj Hysenit janë caktuar masat “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Ajo është nën hetim për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë”.
Prokuroria dyshon se veprimet e saj kanë qenë në favor të Ergys Agasit, me qëllim që ky i fundit t’i shmangej kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe për zbulimin e informacioneve të klasifikuara.
Dyshimet e SPAK dhe arsyetimi i gjykatës për rrezikun e arratisjes janë pjesë e procedimit penal ndaj Hysenit, e cila gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.



