Partia Demokratike po zhvillon këtë të shtunë zgjedhjet për kryetarin e saj, ku në garë është vetëm kryetari aktual, Sali Berisha. Ndërsa procesi i votimit vijon në të gjithë vendin, nuk kanë munguar as zërat kritikë nga anëtarë dhe mbështetës të partisë.
Disa demokratë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke e konsideruar garën me një kandidat të vetëm si të pakuptimtë dhe larg standardeve të një gare reale.
“Në kohën e Enverit votonim me urdhër për një. U kthye sistemi me urdhra edhe sot në PD”, u shpreh një prej demokratëve, duke krahasuar procesin aktual me praktikat e së kaluarës komuniste.
Një tjetër mbështetës i Partisë Demokratike e cilësoi votimin si një proces formal pa konkurrencë të vërtetë.
“Ky nuk është proces votimi, kjo është një farsë elektorale që zoti Berisha po organizon, si në kohën e komunizmit, me një kandidat të vetëm. Jam i sigurt që demokratët do ta bojkotojnë këtë proces. Unë votova kundër Berishës”, deklaroi ai.
Kritika pati edhe për aspektin procedural të zgjedhjeve. Një demokrat tjetër tha se nuk i njeh këto zgjedhje, duke argumentuar se ato nuk janë në përputhje me statutin e partisë dhe duke kundërshtuar mënyrën e organizimit të procesit.
Pavarësisht kundërshtive të shprehura nga disa anëtarë, procesi i votimit ka vijuar normalisht në qendrat e votimit të ngritura nga Partia Demokratike, ndërsa Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm në garën për drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.



