Një aksion i zhvilluar pasditen e së enjtes në Kadastrën e Durrësit ka çuar në vënien nën hetim të 12 personave, mes të cilëve zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij institucioni.
Personat dyshohen për veprime të paligjshme që lidhen me tjetërsimin e pronave, ndërsa ndaj tyre janë ngritur akuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sipas masave të vendosura, katër persona janë lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”: Ramazan Sheshi, Adrian Kona, Bledar Zerba dhe Rovin Zeqja.
Ramazan Sheshi dyshohet për veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Adrian Kona, Bledar Zerba dhe Rovin Zeqja dyshohen për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, Shaqir Sheshi, Viktor Mataj, Arianit Mataj dhe Besnik Xhafa janë caktuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ata dyshohen për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
Katër persona të tjerë janë lënë me masën “detyrim paraqitje”. Fiqeret Xhafa dyshohet për “Mashtrim”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa Jonida Mergeja, Leandro Dervishi dhe Artur Çobani dyshohen për “Shpërdorim detyre”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në procedurat e dyshuara të paligjshme për pronat.



