Administrata Tatimore ka bërë të ditur se po vijon normalisht procesi i faljes pa kusht të detyrimeve tatimore të papaguara deri më 31.12.2014, në kuadër të skemës ligjore në fuqi.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë fshirë automatikisht rreth 215 milionë euro detyrime tatimore për 25,005 tatimpagues që kanë përfituar nga falja pa kushte.
Administrata Tatimore e Shqipërisë u ka rikujtuar tatimpaguesve se 30 qershori 2026 është afati i fundit për pagesën e detyrimit të nevojshëm për të përfituar fshirjen e 50% të principalit, si dhe për dorëzimin e deklaratave të padorëzuara deri më 31.12.2024, me qëllim përfitimin nga falja e gjobave për deklarim me vonesë.
Institucioni njofton gjithashtu se ka përfunduar me sukses procesin automatik të fshirjes së gjobave tatimore për kategoritë e parashikuara në ligj, nga i cili kanë përfituar 105,409 tatimpagues, me një vlerë totale prej rreth 91.6 milionë euro detyrimesh të shlyera.
Sipas ndarjes zyrtare, 70.5 milionë euro lidhen me gjoba administrative të vendosura për detyrime të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, ndërsa 21.1 milionë euro i përkasin gjobave për dorëzim të vonuar deklaratash, të cilat janë shuar me kushtin e dorëzimit të tyre brenda afateve të përcaktuara.
Në njoftim theksohet se nga ky proces kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa një pjesë e subjekteve nuk janë përfshirë për shkak të proceseve gjyqësore të formës së prerë ose hetimeve në fushën tatimore dhe doganore.



