Më 11 maj Shqipëria voton për të zgjedhur 140 deputetë, por de facto çdo subjekt zgjedhor do të duhet të kandidojnë me 186 kandidatë. Kjo ndodh pasi në zgjedhje votohet vetëm lista e kandidatëve për votim parapëlqyes, emrat e të cilave nuk mund të jenë në listën shumëemërore me renditje të fiksuar. Në listën e votimit parapëlqyes do të duhet të jenë aq kandidatë sa mandatet në dispozicion plus numri i kandidatëve që janë me renditje të fiksuar, pa të drejtë të përfshirjes së të njëjtit individ në dy listat. Sipas tabelës, 46 kandidatë do të jenë në listë të fiksuar, 140 në listën me votim parapëlqyes.
Duke supozuar se në zgjedhje do të ketë 10-15 subjekte politike konkurruese (mesatare e viteve të fundit), atëherë do të rezultojë se në zgjedhje do të kemi rreth 1860 deri në 2790 kandidatë, një shifër shumë e lartë konkurruese për një vend të vogël si Shqipëria. Në vlerësimin e ISP sistemi është penalizues për partitë e vogla dhe të reja, pasi ato detyrohen të kandidojnë në të gjithë territorin e vendit me listë të plotë kandidatësh, kur vetëm sistemi i kthimit të votave në mandate nuk përllogarit votat kombëtare, por vetëm ato në nivel qarku.
Sipas ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike (ISP), organizatë e cila po monitoron integritetin e zgjedhjeve dhe të partive politike, ka një dallim thelbësor midis kandidimit formal dhe real: 1860 apo 2790 kandidatë nuk do të thotë se kemi pluralizëm funksional dhe cilësor në zgjedhje. Në të vërtetë për mbi 90% të kandidatëve gara ka përfunduar pa filluar sepse nuk kanë as shanse teorike për zgjedhje. Përmes listës me renditje të fiksuar zgjidhen paraprakisht dhe pavarësisht votës së elektoratit rreth 100-108 deputetë, pjesa e mbetur në dispozicion është maksimumi 40 deputetë në më shumë se 1,8 mijë ose 2,7 mijë kandidatë.
Ky është sistemi zgjedhor që Shqipëria po aplikon në zgjedhjet e vitit 2025.
