Vendimi i Donald Trump për të mbyllur “USAID” ka bërë bujë të madhe edhe në vendin tonë. Organizata “Judicial Watch” ka nxjerrë në dritë fakte të reja përmes një dokumenti me 49 faqe ku tregon se si janë ndarë grantet në vendin tonë, vetëm mes disa personash.
Në pah del roli i Andro Dobrushit, drejtor i Open Society Foundation-Albania, i cili ka ndikuar në shpërndarjen e fondeve përmes programeve të ambasadës amerikane.
Sipas dokumenteve, Dobrushi ka qenë në qendër të takimeve të organizuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku janë shqyrtuar aplikimet për grante të organizatave joqeveritare. Një nga këto takime u mbajt më 18 qershor 2015, ku ai ishte mes të ftuarve për të dhënë opinion mbi ndarjen e fondeve të USAID-it për organizatat në Shqipëri.
E-maili ku i dërgohet vetëm disa personave pjesëmarrja për përfitimin e granteve
Një tjetër emër që del në këto dokumente është Ilva Cuko, specialiste programi në Zyrën për Çështje Publike të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajo ka dërguar disa emaile, mes të cilave një më 28 gusht 2015, ku fton Dobrushin në një takim për rishikimin teknik të granteve që fokusoheshin në projekte për “luftën kundër korrupsionit”.
Gjithashtu, një email i datës 22 shkurt 2016 tregon se Dobrushi është ftuar sërish në një takim më 26 shkurt në ambasadë për të dhënë opinione mbi organizatat që duhej të merrnin financim nga fondet e USAID-it.
Siç shihet edhe në email-et e përdorura, Ilva Cuko kishte futur në rrethin e ngushtë të shpërndarjes së granteve vetëm disa persona që i ftonte të merrnin pjesë si Andi Dobrushi, Fiorela Shalsi, Elga Mitre, Rezarta Katuci, Mihallaq Qiro, Kristina Voko, Gerta Meta ndërsa për dijeni e-maili i dërgohej Angjelina Pistolit.