Kreu i PD-së, Sali Berisha ka dalë me një tjetër kusht për mazhorancën në lidhje me votimin e emigrantëve.
Pas kërkesës për zgjatjen e afatit të dokumentave edhe pas skadimit, Berisha kërkon që emigrantët të votojnë edhe me dokumenta të huaja.
Në një konferencë për shtyp Berisha deklaroi se shumica po e refuzon amendamentin që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar.
“Asnjë votim dhe asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni. Janë bërë edhe 2-3 të tjera, por harrojini. Për ne ky është kushti. Nëse duan ti votojnë bashkë me këtë jemi dakord. Vota e diasporës vihet shumë në rrezik nëse ti përjashton ⅔ e shqiptarëve jashtë vendit. Këta e dinë që Diaspora i urren. Këta tani e kuptuan. Menduan se do ishte ndryshe, por po u del krejt tjetër”, deklaroi Berisha.
Pak ditë më parë Komisoneri Shtetëror Celibashi propozoi një draft në Kuvend që u jep mundësinë të votojnë edhe emigrantët që kanë dokumente të skaduara si dhe afrimin me 10 ditë të afateve të regjistrimit të kandidatëve për t’i dhënë më shumë mundësi administratës për të nisur fletët e votimit në Diasporë.
Ndërsa sot Qeveria miratoi këtë vendim.