back to top
20.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëItalia vulos marrëveshjen e pensioneve/ Po Greqia?

Italia vulos marrëveshjen e pensioneve/ Po Greqia?

Lutfi Dervishi

Vendimi i sotëm i Senatit Italian për të miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë është një moment historik për komunitetin shqiptar aty dhe një konfirmim i lidhjeve të ngushta mes dy vendeve.

Ky zhvillim jo vetëm garanton të drejtat sociale dhe ekonomike për qindra mijëra

shqiptarë, por gjithashtu vendos një precedent të rëndësishëm për marrëveshje të ngjashme me vende të tjera, veçanërisht me fqinjin jugor Greqinë.

Italia ka qenë historikisht një aleat strategjik i Shqipërisë, jo vetëm në aspektin politik dhe ekonomik, por edhe në dimensionin human dhe social. RAI ishte dritarja e vetme drejt Perëndimit gjatë diktaturës dhe pas vitit 1990, Italia u bë destinacioni i parë për dhjetëra mijëra shqiptarë që lanë atdheu në kërkim të një jete më të mirë.

Sot, mbi 500,000 shqiptarë jetojnë e punojnë në Itali dhe janë ndër komunitetet më të integruara.

Vendimi i Senatit për të ratifikuar marrëveshjen e sigurimeve shoqërore shënon një fazë të re të marrëdhënieve vellazerore. Marreveshja njeh kontributet reciproke. Emigrantët shqiptarë nuk do të humbin vitet e punës së tyre, edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite në Itali apo 15 vite në Shqipëri. Pensionet do të llogariten mbi bazën e kontributeve në të dy vendet

Nga sot e tutje shqiptarët që kanë punuar në Itali nuk do të përballen me paqartësi ligjore kur të arrijnë moshën e pensionit.

Për më tepër marrëshja siguron lehtësim ekonomik për familjet emigrante. Të drejtat e siguruara përfshijnë edhe asistencën për invaliditet, papunësinë dhe përfitimet shëndetësore .

Greqia hapi i radhës?

Nëse Italia është vendi ku shqiptarët kanë pasur integrimin më të suksesshëm, Greqia është vendi ku shqiptarët kanë pasur sfidat më të mëdha. Që nga vitet ’90, mbi 700,000 shqiptarë kanë punuar në Greqi, shpesh duke kaluar periudha të gjata pune të paligjshme ose me dokumente të përkohshme.

Kjo ka sjellë probleme me viteve të punës dhe shumë shqiptarë që kanë kontribuar për dekada në Greqi rrezikojnë të mos marrin pensionet që u takojnë.

Nëse marrëveshja me Italinë u arrit pas 13 vitesh negociata, ajo me Greqinë mund të hasë vështirësi të tjera për shkak të disa faktorëve:

Se pari punësimi informal: Një numër i madh shqiptarësh kanë punuar pa sigurime gjatë viteve të para të emigracionit në Greqi, gjë që mund të komplikojë procesin e llogaritjes së pensioneve.

Së dyti Tensionet politike sporadike mes dy vendeve (me i fundit çështja Beleri)

Së treti: Sistemi i ngurtë grek i sigurimeve shoqërore sepse ndryshe nga Italia, e cila ka pasur një përvojë më të mirë në njohjen e pensioneve ndërkombëtare, Greqia ka qenë më e ngadaltë në këtë drejtim .

Votimi i sotëm në Senatin Italian shënon një fitore të madhe për shqiptarët dhe një konfirmim të partneritetit të fuqishëm mes Shqipërisë dhe Italisë. Ky është një hap i rëndësishëm që garanton një siguri ekonomike për emigrantët dhe familjet e tyre, por edhe një shembull që duhet ndjekur me Greqinë dhe vende të tjera.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat