back to top
22.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetRajoniMbyllet ndërtesa e Agjencisë Shtetërore për Hetime në Banjallukë

Mbyllet ndërtesa e Agjencisë Shtetërore për Hetime në Banjallukë

Qasja në ndërtesën e Agjencisë Shtetërore për Hetime (SIPA) të Bosnje e Hercegovinës në Banjallukë u bllokua më 7 mars, ndërsa punonjësit u larguan nga ambientet në orët e mëngjesit.

SIPA është agjencia shtetërore për hetime dhe mbrojtje, e cila funksionon si organizatë administrative e Ministrisë së Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës. Banjalluka është qendra administrative e Republikës Sërpska.

Byroja e Radios Evropa e Lirë (REL) në Sarajevë nuk ka marrë informacion zyrtar nga SIPA në lidhje me zhvillimet në ambientet e saj në Banjallukë, si dhe nuk ka marrë përgjigje për pretendimet jozyrtare se Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska (MPB RS) do të marrë nën kontroll ndërtesën të premten.

Informacionet për ndërprerjen e punës së SIPA-s në Banjallukë vijnë pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska për ndalimin e funksionimit të SIPA-s, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë entitet.

Zëdhënësja e MPB-së së RS-së, Mirna Milanoviq, tha për REL-in se “nuk ka informacion” lidhur me ndonjë urdhër të kësaj ministrie ndaj SIPA-s.

REL-i mëson jozyrtarisht se MPB-ja e RS-së ka kërkuar që punonjësit të largohen nga objekti dhe që puna të ndërpritet.

Sipas raportimit të gazetarit të REL-it nga terreni, në ndërtesën e SIPA-s në Banjallukë nuk shihet asnjë aktivitet, nuk ka njerëz që hyjnë apo dalin, ndërsa portat e ambienteve të Agjencisë janë të mbyllura.

Gjithashtu, parkingu është pothuajse bosh, përveç disa automjeteve të parkuara të SIPA-s.

Rojet e objektit janë të vetmit të pranishëm për momentin dhe ata nuk kanë dashur të japin ndonjë informacion.

Sipas burimeve të sigurta të REL-it, punonjësit e SIPA-s në Banjallukë janë njoftuar se orari i tyre i punës është shkurtuar.

“Thjesht na thanë të dalim jashtë. Na u tha se është vetëm për sot për arsye sigurie”, tha një nga punonjësit e SIPA-s në Banjallukë, i cili dëshiroi të mbetet anonim.

Zyra e SIPA-s në Banjallukë nuk është selia qendrore e Agjencisë. Ndërtesa kryesore e SIPA-s ndodhet në Sarajevën Lindore dhe deri më tani nuk ka informacione për ndonjë ndryshim në funksionimin e saj.

Një ditë më parë, MPB-ja e RS-së u bëri thirrje punonjësve të SIPA-s që të paraqisnin kërkesë për t’u transferuar në MPB-në e RS-së.

Aktualisht, nuk ka informacione zyrtare se sa punonjës të SIPA-s i janë përgjigjur thirrjes së MPB-së së RS-së.

MPB-ja e RS-it, përveç ligjit antikushtetues, i referohet edhe një Rregulloreje për procedurën e marrjes së punonjësve nga Republika Sërpska që janë të punësuar në SIPA, e miratuar nga Qeveria e RS-së.

Në thirrjen publike thuhet se “punonjësit e SIPA-s nga Republika Sërpska ftohen të paraqesin kërkesën për transferimin e tyre në stacionin më të afërt policor të MPB-së së RS-së”.

“Ata do të pranohen menjëherë dhe do të bëhen pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska me vendosjen e marrëdhënies së punës”, thuhet në thirrjen publike të MPB-së së RS-së.

Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat