Nga Ledina Elezi
Tregu postar ka vijuar të zgjerohet edhe gjatë vitit 2024. Sektori postar është sektor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare dhe përbën një nga sektorët me numrin më të madh të punonjësve në vend me rreth 3.297 të punësuar. Të punësuarit kanë pasur rritje me 4.3% në krahasim me vitin e kaluar. Numri total i objekteve postare të pranuara gjatë vitit 2024 nga Posta Shqiptare sh.a., dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve postare ishte rreth 25.4 milionë, me një rritje me 10% krahasuar me vitin 2023.
Bazuar në raportimet e kryera nga ofruesit e shërbimeve postare që kanë ushtruar aktivitet përgjatë vitit 2024, rezulton se këta sipërmarrës kanë gjeneruar rreth 2.7 miliardë lekë të ardhura nga këto shërbime, e cila përbën një rritje me rreth 9% krahasuar me periudhën pararendëse.
Posta Shqiptare ka shënuar rritje me 2% krahasuar me vitin 2023, dhe vazhdon të jetë sipërmarrësi me pjesën më të madhe të të ardhurave në fushën e ofrimit të shërbimeve postare. Duhet theksuar se Posta Shqiptare është përcaktuar me vendim të Këshillit Drejtues të AKEP edhe si ofrues i Shërbimit Universal Postar, shërbim nga i cili gjeneron edhe pjesën më të madhe të të ardhurave të saj. Përgjatë vitit 2024, sipërmarrësit e ofrimeve postare kanë investuar rreth 300 milionë lekë në përmirësimin e infrastrukturës së ofrimit të shërbimeve postare, e cila përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2023. Pjesa më e madhe e investimeve është kryer nga sipërmarrësit Posta Shqiptare me rreth 46%.
Për sa i përket standardeve të cilësisë në lidhje me kohën e shpërndarjes së objekteve postare të Shërbimit Universal, gjatë vitit 2024, objektet postare janë shpërndarë më shpejt.
Sipas Raportit Vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), 97% e objekteve postare në zonat urbane janë shpërndarë në 1 ditë pas pranimit, krahasuar me objektivat 95% dhe 85% për dorëzimin brenda qytetit dhe midis qyteteve respektivisht. Për objektet postare me destinacion zonat rurale/fshatra, 85% e objekteve postare janë dorëzuar në 2 ditë pas pranimit, krahasuar me detyrimin 60% sipas Rregullores së Shërbimit Universal të AKEP.