Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një shoqatë e regjistruar në Shqipëri është përfshirë në listën e organizatave të shpallura terroriste nga autoritetet egjiptiane. Bëhet fjalë për Shoqatën Kulturore “E Ardhmja”, e cila figuron mes 35 organizatave, institucioneve dhe shoqatave të përfshira në një vendim të Gjykatës Penale të Kajros, me vlefshmëri pesëvjeçare.
Vendimi, i shpallur më 10 nëntor 2026, përfshin gjithashtu 36 individë, të cilët janë futur në listën e personave të shpallur terroristë sipas legjislacionit egjiptian.
Sipas agjencisë shtetërore egjiptiane të lajmeve MENA, vendimi është publikuar në numrin 250, shtojcë, të Gazetës Zyrtare të Egjiptit. Procedura gjyqësore është regjistruar pranë Prokurorisë së Lartë për Sigurinë e Shtetit, me numër 11108 të vitit 2026.
“E Ardhmja” mes organizatave të përfshira në listën egjiptiane
Emri i Shoqatës Kulturore “E Ardhmja” shfaqet në listën e organizatave të përfshira në vendimin e gjykatës, ku identifikohet si subjekt nga Shqipëria.
Ajo është pjesë e një liste ku përfshihen organizata dhe struktura të ndryshme islame që veprojnë në disa vende europiane. Mes tyre është edhe Këshilli i Myslimanëve të Evropës, së bashku me degët dhe organizatat e lidhura me të.
Në dokument përmenden gjithashtu Fondacioni “Myslimanët e Francës”, Shoqata Islamike e Britanisë, Liga Myslimane e Zvicrës, Bashkësia Islame Gjermane, si dhe shoqata e organizata të tjera në Suedi, Itali, Spanjë, Irlandë, Poloni, Rumani, Hungari dhe Finlandë.
Lista shtrihet edhe në vende të tjera, përfshirë Austrinë, Holandën, Belgjikën, Danimarkën dhe Norvegjinë. Në të janë përfshirë gjithashtu organizata nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Rusia dhe Turqia.
Pjesë e vendimit janë edhe disa struktura me shtrirje europiane, si Këshilli Evropian për Fetva dhe Hulumtime, Këshilli Evropian i Imamëve, Këshilli Evropian për Familjen Myslimane, Këshilli Evropian për Kuranin e Shenjtë, Këshilli Evropian i Grave Myslimane dhe Forumi Evropian i Studentëve Myslimanë.
36 individë në listën e personave të shpallur terroristë
Përveç 35 organizatave dhe institucioneve, vendimi i Gjykatës Penale të Kajros përfshin edhe 36 individë, të cilët janë regjistruar në listën e personave të shpallur terroristë.
Mes emrave të publikuar janë Anas Osama Tawfiq A-Tikriti, Ibrahim Farouk Mohamed Al-Zayyat dhe Ahmed Kazem Fathi Suleiman Al-Rawi. Në listë figuron edhe Abdel Aziz Mohamed Abdel Aziz Ibrahim, i njohur me emrin Hamza Korkmaz.
Gjykata ka urdhëruar publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare, ndërsa përfshirja në këto lista shoqërohet me pasojat ligjore të parashikuara nga legjislacioni egjiptian.



