Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njofton se gjatë ditës së hënë, më 23 qershor 2025, deri në orën 21:00, janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri në territorin e vendit. Pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe strukturave vendore, janë shuar 17 prej tyre, ndërsa aktualisht mbeten aktive 3 vatra në qarqet Vlorë, Kukës dhe Lezhë.
Zonat ku janë shuar zjarret përfshijnë:
-
Lagjen “Mulliri i Artë” në Delvinë
-
Fshatin Alarup (Pogradec)
-
Rrugën e Elbasanit (Tiranë)
-
Fshatin Rilë (Lezhë)
-
Fshatin Malaj (Mirditë)
-
Fshatin Vanë (Delvinë)
-
Fshatin Kotë (Selenicë)
-
Rrugën e Arbrit (Zall-Bastar, Tiranë)
-
Shëngjin, Dukas, Visokë, Ksamil dhe zona të tjera
Vatrat ende aktive janë:
-
Himarë (Qarku Vlorë) – Zjarri është përhapur në disa zona si Qafë Lerë – Llaman dhe fshatin Kudhës. Në këtë të fundit, vatra ka intensitet më të lartë, por nuk përbën rrezik për banesat apo objektet tregtare. Për fikjen po punojnë forcat e MZSH nga pesë bashki të Jugut.
-
Kolsh, Kukës (Qarku Kukës) – Zjarr në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, po ndërhyhet me 2 mjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda të bashkisë.
-
Ndërfan, Mirditë (Qarku Lezhë) – Zjarr në një zonë me pyll të ri dhe shkurre të dendura. Terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen, por janë angazhuar zjarrfikësit, shërbimi pyjor dhe vullnetarë.
Autoritetet apelojnë për vigjilencë dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti zjarri, ndërsa nënvizojnë se faktorët klimatikë dhe aktiviteti njerëzor vijojnë të jenë shkaktarët kryesorë të rrezikut.