KreuAktualitetPolitikaReforma Zgjedhore në ngërç/ Gjiknuri hap derën e kompromisit me opozitën

Reforma Zgjedhore në ngërç/ Gjiknuri hap derën e kompromisit me opozitën

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Vetëm 24 orë pas ultimatumit të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndaj demokratëve për ligjin zgjedhor, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka zbutur qëndrimin dhe ka ftuar opozitën të rikthehet në dialog.

Në një prononcim për Top Channel, Gjiknuri pranoi se koha për të arritur një kompromis është e kufizuar, por theksoi se socialistët mbeten të gatshëm të negociojnë me opozitën.

“Jemi shumë vonë dhe është e vështirë të arrihet një kompromis, por ne jemi të gatshëm gjithsesi. Ka shanse për kompromis, por të shohim çfarë pakete do të sjellin ata dhe sa të realizueshme do të jenë”, u shpreh Gjiknuri.

Nxitimi për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor lidhet edhe me zgjedhjet vendore të vitit 2027. Ndryshimi i ndarjes territoriale, me kalimin nga 61 në 46 bashki, kërkon përshtatjen e kuadrit zgjedhor, veçanërisht për mënyrën e shpërndarjes së mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Pa këto ndërhyrje, mund të vihet në pikëpyetje edhe legjitimiteti i procesit zgjedhor.

Ndërkohë, në një kohë kur reforma ka mbetur e bllokuar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nga ana tjetër, socialistët kanë paraqitur si kundërpropozim një reformë kushtetuese, e cila parashikon edhe uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.

Gjiknuri tha se PS mbetet te varianti i ndryshimeve kushtetuese, duke lënë të kuptohet se kompromisi kërkon lëshime nga të dyja palët.

“Ne i qëndrojmë variantit për ndryshime kushtetuese për këtë çështje. Kompromis do të thotë të japësh dhe të marrësh. Do të ulesh dhe të japësh diçka, sepse nuk mundet që njëri të çedojë fitoren në tavolinë për shkak të një taktike elektorale”, deklaroi ai.

Afati për arritjen e një marrëveshjeje është 30 nëntori, datë kur përfundon mandati i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët deri atëherë, procesi rrezikon të mbetet sërish pa një rezultat konkret, në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme vendore po afrohen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat