Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, janë konfiskuar 14 pasuri të shtetasit M.A., i dënuar për veprimtari kriminale në Itali, përfshirë shfrytëzimin e prostitucionit dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, bazuar në nenin 287 të Kodit Penal shqiptar.
Autoritetet italiane e kishin shpallur fajtor M.A. për përfshirje direkte në rrjete prostitucioni, ndërkohë që transfertat financiare të përsëritura nga femra që ushtronin prostitucionin në drejtim të tij dhe familjarëve, u përdorën më pas për të investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri, përmes një zinxhiri transaksionesh fiktive.
Nga hetimet rezultoi se paratë e pista janë investuar jo vetëm personalisht, por edhe përmes një aktiviteti ekonomik të regjistruar me fushë tregtie dhe dhënie me qira automjetesh në qytetin e Elbasanit.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë:
1 apartament në Durrës
10 automjete luksoze (Maserati, Mercedes-Benz, Audi SQ7, BMW, Jeep, Fiat, Suzuki etj.)
1 motomjet BMW
1 aktivitet biznesi në fushën e automjeteve (shitje dhe qira) në Elbasan
Prokuroria konfirmon se do të vazhdojë të godasë krimin ekonomik dhe pastrimin e parave, përmes ndjekjes penale dhe konfiskimit të çdo pasurie që ka burim kriminal.