Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) me një kërkesë zyrtare për vendosjen e gjobave administrative ndaj 15 partive politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në dokumentin e datës 3 tetor 2026, Celibashi kërkon marrjen e masave pas kontrollit dhe auditimit të raporteve financiare të subjekteve politike, ku janë konstatuar shkelje të detyrimeve ligjore për deklarimin e fondeve të përfituara dhe shpenzimeve të kryera gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas kërkesës, problematikat e evidentuara përfshijnë vonesa në dorëzimin e raporteve financiare, mosdorëzimin e tyre nga kandidatët e listave shumëemërore, mosdeklarimin e transaksioneve bankare, si dhe mospërputhje e gabime aritmetike dhe kontabël në dokumentacion.
Për dy parti politike, Komisioneri ka propozuar gjobën më të lartë, prej 2 milionë lekësh, për mosdorëzimin e raportit financiar. Bëhet fjalë për Partinë Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partinë Aleanca Arbnore Kombëtare.
Ndërkohë, gjobë prej 500 mijë lekësh është kërkuar për Partinë Bashkimi Liberal Demokrat, Partinë Aleanca Demokracia e Re, Partinë Aleanca Konservatore për Shqipërinë, Partinë Kristian Demokrate, Partinë Lëvizja Atdheu dhe Partinë Aleanca Kombëtare Shqiptare.
Në një tjetër grup, për të cilin është propozuar gjobë prej 100 mijë lekësh, përfshihen Partia Balli Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Djathtas 1912, Partia Socialdemokrate dhe Partia Nisma Thurje.
Dokumenti i është përcjellë KAS-it, i cili do të shqyrtojë kërkesën dhe do të marrë vendimin përfundimtar në përputhje me Kodin Zgjedhor. Mbledhja për shqyrtimin e çështjes po zhvillohet ditën e sotme.
Vendimi i KAS-it do të përcaktojë nëse propozimet e Komisionerit do të miratohen dhe çfarë masash administrative do të vendosen ndaj partive të përfshira.



