Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua sot seanca paraprake lidhur me dosjen “Buka”, në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzohet nga SPAK për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet ndaj Ahmetajt janë përmbyllur dhe dosja është dorëzuar në gjykatë me qëllim kalimin për shqyrtim gjyqësor. Gjyqtarja e çështjes i ka dhënë kohë mbrojtjes deri më 17 korrik 2025 për të paraqitur konkluzionet lidhur me veprimet e reja hetimore të kryera nga prokurori i çështjes, Elvin Gokaj.
SPAK akuzon Ahmetajn se, në kohën kur mbante postin e Ministrit të Financave, ka shpërdoruar detyrën dhe i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën prej 7 miliardë lekësh, në favor të privatizimit të shoqërisë “Buka Sh.a.”.
Në fokus të hetimit është edhe biznesmeni Lirim Fezollari, i cili sipas SPAK përfitoi nga privatizimi në mënyrë të parregullt, duke pasur – siç pretendohet – një marrëdhënie përtej komunikimit institucional me Ahmetajn. Po ashtu, hetimet vijojnë për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave të asaj kohe, të dyshuar për përfshirje në skemën e privatizimit.
Arben Ahmetaj u shpall në kërkim në korrik të vitit 2023, pas hetimeve të nisura për çështjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. SPAK e akuzoi atë për një sërë veprash penale, përfshirë:
Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë, si individualisht ashtu edhe në bashkëpunim;
Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, në gjashtë raste;
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë dy çështje të ndara penale, ndërsa vetë ai ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se është subjekt i një ndjekjeje politike.
GJKKO pritet të vendosë pas datës 17 korrik nëse dosja “Buka” do të kalojë ose jo për gjykim të plotë.