Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka prezantuar bilancin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në Tiranë. Sipas shifrave të bëra publike nga ministri, 347 persona kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve dhe incidenteve, mes tyre punonjës policie, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.
Demo e cilësoi periudhën e fundit si sfiduese për Policinë e Shtetit, duke deklaruar se efektivët janë përballur me një nivel dhune që, sipas tij, nuk është parë më parë. Ai falënderoi punonjësit e policisë për angazhimin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Nga 347 personat e lënduar, 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe 39 kalimtarë të rastësishëm, mes të cilëve edhe gazetarë. Shifrat e detajuara të bëra publike nga ministri për këto kategori japin një total prej 346 personash.
“Javët e fundit kanë qenë shumë sfiduese për Policinë e Shtetit dhe kanë prodhuar një bilanc negativ sa i përket të lënduarve. Në total janë 347 persona të lënduar dhe nuk dua të bëj dallim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. Megjithatë, këto shifra tregojnë se niveli i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, deklaroi Demo.
Ministri u ndal edhe te trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, duke njoftuar se projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rritje të pagave. Sipas tij, paga bazë do të rritet me 20 mijë lekë të rinj, ndërsa për kategoritë e tjera rritja do të jetë 15 mijë lekë të rinj.
“Një projektligj shumë i rëndësishëm, siç është projektbuxheti i vitit 2027, parashikon një trajtim të ri financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit. Niveli bazë i pagës do të rritet me 20 mijë lekë të rinj, ndërsa për kategoritë e tjera rritja do të jetë me 15 mijë lekë të rinj. Kjo është një nga rritjet më të larta të viteve të fundit për strukturat e Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri.
Duke folur për reagimin e policisë gjatë protestave, Demo tha se Ministria e Brendshme mbështet të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, por edhe zbatimin e ligjit dhe ndërhyrjen proporcionale të forcave të rendit.
“Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese për protestë, por edhe ndërhyrjen proporcionale të Policisë së Shtetit. Në rastet kur ka dyshime për tejkalim të kompetencave apo të përdorimit të forcës, janë marrë masat e nevojshme”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe janë vendosur nën hetim. Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikon edhe dhjetëra raste të tjera, të referuara nga qytetarët ose të nisura kryesisht për incidente specifike gjatë protestave.
Demo bëri të ditur se verifikimet dhe hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktet e dhunës në tubimet e ardhshme



