back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetÇollaku: Votat e Berishës nuk mjaftojnë për të sjellë PD-në, në pushtet

Çollaku: Votat e Berishës nuk mjaftojnë për të sjellë PD-në, në pushtet

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka reaguar me tone të forta në rrjetet sociale ndaj situatës aktuale të opozitës, duke kërkuar një reformim të thellë dhe të gjithanshëm të Partisë Demokratike.

Në një postim në Facebook, Çollaku shprehet se nëse PD vijon në këtë gjendje, disfatat elektorale do të thellohen, ndërsa kritikat për vjedhje votash nga kryeministri Rama, pa reflektim të brendshëm, i cilëson si “turpëruese”.

“Në gjendjen si ndodhet sot, farsa elektorale e radhës do të jetë edhe më dramatike. Të ankohemi se çdo herë Edi Rama na vjedh zgjedhjet është turpëruese”, shkruan ai.

Çollaku shpreh zhgënjimin e tij ndaj klimës brenda PD-së, ku sipas tij mbizotërojnë bashkime false, sektarizëm dhe interesa personale, që po çojnë drejt një rrënimi të mëtejshëm të opozitës.

“PD duhet të reformohet në formë totale – në organizim, koncept dhe klimë. Bashkimet fallco me llogari personale mandate deputetësh nuk funksionojnë. Klima sektare me armiq brenda llojit për karriera nëpër provinca rezultuan katastrofë”, vijon ai.

Ai thekson se as 500 mijë votat që siguron Berisha nuk mjaftojnë për ta kthyer PD-në në pushtet, për sa kohë mungon gjysma tjetër e elektoratit, e cila, sipas tij, duhet të rikthehet përmes hapjes ndaj mendimit ndryshe dhe alternativave të brendshme.

Çollaku: Reforma ose riformatim i opozitës
Në reagimin e tij, deputeti demokrat ngre alarmin se pa një proces reformimi të thellë, energjia opozitare rrezikon të shpërndahet në rrugë të tjera:

“Ose do të gjendet mënyra për të rikthyer këta qytetarë në PD përmes respektit, pranimit dhe të drejtës për të menduar ndryshe, ose kjo energji opozitare do të detyrohet të gjejë rrugë të tjera riorganizimi e riformatimi.”

Ai mbyll reagimin me një paralajmërim të fortë, duke thënë se të presësh revolta imagjinare apo mbrojtje të votës nga të tjerët është të vetëshpallesh opozitë e përjetshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat