back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 6 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaPagat e mësuesve, vendimi i kontestuar/ Kushtetuesja rrëzon ankesën për diskriminim

Pagat e mësuesve, vendimi i kontestuar/ Kushtetuesja rrëzon ankesën për diskriminim

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sindikatës së Mësuesve kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 425, që përcakton pagat e mësuesve bazuar në nivelin e diplomave të tyre. Kjo do të thotë se paga shtesë për kategori të ndryshme të diplomave mbetet në fuqi, pavarësisht ankesave për pabarazi dhe diskriminim.

Vendimi u mor më 24 korrik 2025, pas një seance plenare ku votat u ndanë në mënyrë të barabartë, 4 me 4. Për shkak të mungesës së shumicës, kërkesa e Sindikatës për shfuqizimin e një pjese të VKM-së u hodh poshtë.

Sindikatat kishin argumentuar se VKM-ja krijonte një pabarazi të padrejtë mes mësuesve, duke ulur pagat për ata që kanë diploma të niveleve 2 dhe 3 sipas Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK). Konkretisht, kjo VKM parashikon shtesa prej 10 dhe 12 mijë lekësh për këto nivele, krahasuar me 14 mijë lekë shtesë për kategori më të larta.

Në kërkesën e tyre, Sindikata theksonte se kjo mënyrë e ndarjes së pagave cenonte parimin e barazisë para ligjit dhe shkaktonte diskriminim mes mësuesve. Por, sipas gjykatës, pretendimet e Sindikatës nuk arritën të siguronin shumicën për rrëzimin e VKM-së.

Gjykata vlerësoi se, edhe pse ekziston një debat mbi mënyrën e interpretimit të ligjit për pagat, kjo çështje është kompetencë e gjyqësorit të zakonshëm dhe jo e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, u theksua se e drejta ligjore për pagë është e plotë dhe nuk ndahen elementë të veçantë të saj si të drejta të pavarura.

Ky vendim mban në fuqi strukturën aktuale të pagave për mësuesit, duke mos i njohur si të barabarta shtesat për të gjitha nivelet e diplomave.

Sindikatat e arsimit kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtij vendimi, duke paralajmëruar protesta dhe kërkesa të mëtejshme për rishikim të politikave të pagave.

Ky proces u ndoq me shumë interes pasi pagat e mësuesve janë një nga çështjet më të ndjeshme në sistemin arsimor, sidomos në kushtet kur kërkohet përmirësim i kushteve financiare për stafin arsimor në vend.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese do të publikohet në afatet ligjore, duke sjellë edhe më shumë detaje mbi argumentet dhe votat e gjyqtarëve.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 26.06.2025 shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, me objekt: “Shfuqizimi pjesërisht i vendimit nr. 425, datë 26.06.2024 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, pikërisht pika 2.ii, vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për grupin vetëm nivelet 6 dhe 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), master profesional, dhe niveli 6 dhe të lidhjes nr. 4, si pjesë përbërëse e vendimit për pjesën e vlerës së shtesës së nivelit të kualifikimit për grupin e diplomës 2, KSHK 7 dhe grupi i diplomës 3, KSHK 6, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese u mblodh në datën 24.07.2025 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve vlerësoi, për sa vijon.

Fillimisht, Gjykata mori në shqyrtim nëse ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së aktit normativ, objekt kërkese, duke analizuar natyrën e pretendimeve të paraqitura.

Për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të hierarkisë së normave juridike, për shkak se VKM-ja bie në kundërshtim me ligjin, Gjykata nuk arriti numrin e nevojshëm të votave për vendimmarrje sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë ky pretendim u konsiderua i rrëzuar. Sipas njërit qëndrim u vlerësua se pretendimet e kërkueses në këtë drejtim janë me natyrë ligjore, pasi kanë të bëjnë me përplasjen mes aktit nënligjor dhe ligjit, për rrjedhojë nuk kanë natyrë kushtetuese. Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, ky pretendim përfshihet në juridiksionin kushtetuese për sa kohë ka të bëjë, në thelb, me rregullat që zbaton Këshilli i Ministrave në miratimin e akteve nënligjore, në kuptim të neneve 116 dhe 118 të Kushtetutës.

Për sa u përket pretendimeve të tjera të kërkueses, për cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe të parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se ato përfshihen në juridiksionin kushtetues dhe i shqyrtoi ato së bashku.

Për bazueshmërinë në themel të këtyre pretendimeve, për shkak se qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, u vendos rrëzimi i tyre.

Sipas njërit qëndrim, kërkuesja pretendonte si të drejtë të fituar masën  për një nga elementet e pagës sipas VKM-së nr. 425/2024. Megjithatë, në fakt, e drejta ligjore është paga në tërësinë e saj dhe jo elementet e veçanta përbërëse të saj dhe kjo e drejtë nuk është cenuar. Njohja e diplomave për efekt page për sa i përket personelit mësimdhënës në kuptim të nenit 72, pika 6, të ligjit nr. 48/2018 është një çështje që ka të bëjë me interpretimin dhe zbatimin e ligjit dhe, si e tillë, ajo i takon juridiksionit gjyqësor të zakonshëm.

Sipas qëndrimit tjetër, njohja e diplomës së përfituar si arsim i lartë për efekt page, sipas ligjit nr. 48/2018, për personelin mësimdhënës në arsimin parashkollor dhe fillor deri në momentin e fillimit të zbatimit të detyrimeve sipas Kartës së Bolonjës, përbën një të drejtë të fituar. Për rrjedhojë, Këshilli i Ministrave me nxjerrjen e VKM-së nr. 425/2024, me të cilën nuk e njeh në të njëjtën mënyrë diplomën e kësaj kategori për efekt page, ka cenuar parimin e sigurisë juridike dhe parimin e barazisë përpara ligjit dhe të mosdiskriminimit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat