Juristi Kreshnik Spahiu ka kundërshtuar hapur ndryshimet e propozuara në Kodin Penal nga qeveria, që parashikojnë ndëshkime për publikimin e materialeve të hetimeve në media. Në një intervistë për Report TV, Spahiu theksoi se përgjegjësia për rrjedhjen e informacioneve nga dosjet hetimore bie mbi gjyqtarët dhe prokurorët, jo mbi gazetarët që i publikojnë.
“Nuk mund të dënosh gazetarët për publikimin e informacioneve, ndërkohë që nuk ka asnjë prokuror apo gjyqtar që akuzohet për nxjerrjen e materialeve. Janë ata që i nxjerrin dhe këtë e dimë të gjithë”, u shpreh ai.
Sipas tij, mungesa e ndëshkimit për zyrtarët e drejtësisë që shpërndajnë të dhëna konfidenciale është një problem thelbësor që po injorohet. Spahiu kujtoi se deri më sot janë regjistruar të paktën 9 viktima, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjeve nga dosjet hetimore dhe përgjimet në SKY ECC.
“Ul në bankën e të akuzuarve gazetarët, por jo ata që ua japin informacionet. Kjo është absurde. Duhet të përmendim shkakun dhe pasojën”, shtoi ai.
Juristi e cilësoi propozimin për ndëshkimin e mediave si një përpjekje të gabuar dhe të rrezikshme për të kufizuar lirinë e medias, ndërsa kërkoi që vëmendja të përqendrohet tek burimi real i rrjedhjeve të informacionit – brenda sistemit të drejtësisë.



