back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKush përfiton nga strehimi social?/ Qeveria premton 15.5 mln €

Kush përfiton nga strehimi social?/ Qeveria premton 15.5 mln €

Këshilli i Ministrave ka miratuar rishikimin e Politikave Prioritare për periudhën 2026–2028, duke përfshirë zyrtarisht strehimin social në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare. Sipas vendimit të qeverisë, një fond prej 15.5 milionë eurosh do të vihet në dispozicion për sigurimin e strehimit të përballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Programi është pjesë e strategjisë afatgjatë për të garantuar strehim të sigurt dhe të qëndrueshëm për rreth 35,000 individë/familje deri në vitin 2030 – përfitues të sistemit të ndihmës sociale që nuk përballojnë çmimet e tregut të lirë të banesave.

“Objektivi është të sigurojmë strehim të përshtatshëm e të përballueshëm për 35,000 individë/familje deri më 2030-n”, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria.

Rritje 10-fish e fondeve dhe mekanizma mbështetës

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, njoftoi më herët se fondi për programin e strehimit social do të rritet 10-fish krahasuar me nivelet aktuale, edhe pse nuk u dhanë shifra specifike në atë kohë.

Sipas tij, programi do të përfshijë:

Subvencionim të interesave të kredive ekzistuese dhe të reja

Mekanizma bonus për fëmijët e lindur

Zbritje të menjëhershme nga çmimi i banesës për familjet në nevojë

Kredidhënie të butë për punonjësit e administratës publike

Në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave dhe Bashkinë e Tiranës, qeveria ka parashikuar ndërtimin e banesave në tokë publike, për t’i ofruar me çmime më të ulëta dhe kushte pagesash të përballueshme.

Ligji 22/2018 si bazë dhe standard për të ardhmen

Programi bazohet në Ligjin Nr. 22/2018 për strehimin social, i cili përcakton që kostoja e banesës të mos i kalojë 25% të të ardhurave familjare dhe aplikimi të bëhet mbi kritere sociale dhe ekonomike të qarta.

Bilanci: 24,019 familje të mbështetura deri në prill 2025

Sipas raportit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), nga viti 2016 deri në prill të vitit 2025 janë përfituar nga programet e strehimit 24,019 familje, duke arritur në 68.6% të objektivit afatgjatë.

Në katërmujorin e parë të vitit 2025 janë shpenzuar 144 milionë lekë (1.44 milionë euro), që përfaqëson 11% të buxhetit vjetor të planifikuar për strehim.

Përfitimet për periudhën janar–prill 2025:
5,900 familje: subvencion interesash për kredi ekzistuese – 41.7 milionë lekë

100 familje: kredi të reja të subvencionuara – 19 milionë lekë

721 familje: subvencion qiraje në tregun e lirë – 76.5 milionë lekë

110 familje: subvencion qiraje për shkak të shpronësimeve nga Unaza e Madhe – 5 milionë lekë

Ministria gjithashtu raportoi se për investimet publike në strehim janë realizuar 35% e buxhetit fillestar dhe 27% e buxhetit të rishikuar, ndërsa në muajin prill u shtuan edhe 1 miliard lekë në shpenzimet kapitale përmes Aktit Normativ Nr. 3.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat