back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaÇmimet në Shqipëri si në Zvicër?/ Berisha: Është efekti toksik i narko-euros

Çmimet në Shqipëri si në Zvicër?/ Berisha: Është efekti toksik i narko-euros

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me tone të forta ndaj rënies së turizmit në Shqipëri, duke e quajtur atë “dështimin më spektakolar ekonomik të narkoshtetit shqiptar” dhe duke shpallur si fajtor kryesor të situatës ekonomike të vendit “narko-euron”, një term që ai përdor për të përshkruar zhvlerësimin e monedhave të huaja në tregun vendas, sipas tij për shkak të futjes masive të valutës nga aktivitetet kriminale.

Sipas Berishës, ndërsa qeveria raporton shifra në rritje të turistëve, realiteti në terren është krejt tjetër:

“Flasin për 10 milion turistë, por këtu përfshihen edhe pasagjerët e linjave ajrore. Realisht, numri i turistëve të huaj ka rënë ndjeshëm dhe kjo është e dukshme në plazhet dhe liqenet tona,” tha Berisha.

Berisha pretendon se shkaku kryesor i rënies së turistëve është zhvlerësimi artificial i euros dhe dollarit në tregun shqiptar, që sipas tij ka ardhur si pasojë e futjes së parave të pista në ekonomi.

“Rënia e euros dhe dollarit me 35% bëri që turistët të paguajnë më shumë për të njëjtin shërbim. Kush më parë me 100 euro blinte një shërbim, tani i duhen 135. Ky është një dëm i drejtëpërdrejtë,” deklaroi ai.

Berisha shkon përtej turizmit dhe thekson se efekti i narkoeuros ka qenë katastrofik edhe për prodhimin vendas dhe eksportin shqiptar, duke çuar, sipas tij, në falimentimin e mijëra bizneseve prodhuese.

“Sot, 80% e ushqimeve në dyqanet shqiptare janë të importuara. Ushqimet janë 17% më të shtrenjta se në BE. Ky është realiteti,” shtoi ai.

Ish-kryeministri ka folur edhe per çmimet e larta, duke akuzuar se shumë nga investimet në resorte dhe hotele nuk janë bërë për turizëm, por për pastrim parash nga paratë e krimit.

“Shezlongje nga 100 deri në 500 euro, kabana me 2 mijë e 4 mijë euro nata – kjo nuk është turizëm, kjo është larje parash. Këta nuk duan fitim, duan të lajnë kontejnerët e tyre me euro,” akuzoi Berisha.

Berisha kritikoi ashpër edhe heshtjen e aktorëve të tjerë publikë dhe privatë.

“Narkoqeveria, mediat e saj, operatorët turistikë, madje edhe ekonomistët, heshtin. E fshehin të vërtetën. A nga padija, a nga frika, nuk e di. Por e vërteta është një: po heshtin për një krim të rëndë ekonomik.”

Me tej, Berisha paralajmëroi se mungesa e debatit mbi narko-euron është formë bashkëpunimi me krimin ekonomik dhe është një nga arsyet kryesore të deformimit të ekonomisë shqiptare.

Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur qeveria pretendon për sezon turistik rekord, ndërsa opozita ngre alarmin për kriza të thella në ekonomi dhe manipulim të të dhënave publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat