back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaBrenda dosjes 77-faqëshe të Veliajt/ Sekuestrime, rrjedhje dhe konflikte interesi

Brenda dosjes 77-faqëshe të Veliajt/ Sekuestrime, rrjedhje dhe konflikte interesi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme ndaj tij.

Në dokumentin e dorëzuar, që përmban 77 faqe, Veliaj liston një sërë shkeljesh të pretenduara nga ana e Prokurorisë dhe argumenton se hetimi i deritanishëm duhet të shpallet i pavlefshëm.

Midis shqetësimeve të paraqitura nga kryebashkiaku janë:

Hetimi i çështjes nga një person që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit;

Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;

Nisja e hetimeve mbi bazën e një kallëzimi penal të falsifikuar, pa verifikim të identitetit të kallëzuesit;

Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal për të shmangur kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;

Tejkalimi i afateve hetimore dhe fshehja e statusit të personit nën hetim;

Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private pa autorizim ligjor;

Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohjen me aktet;

Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;

“Fraksionimi” i çështjes si mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;

Përdorimi i medias si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme dhe manipulimit të opinionit publik.

Në kërkesën e tij, Veliaj thekson se dokumenton me prova të gjitha shkeljet e pretenduara dhe kërkon rikthimin e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe paanësisë në hetim.

Ky hap nga kryebashkiaku vjen pas një periudhe hetimesh intensive nga Prokuroria e Posaçme, të cilat sipas Veliajt kanë shkelur standardet ligjore dhe kanë cenuar të drejtën e tij për mbrojtje efektive.

Veliaj kërkon nga GJKKO që të pranojë kërkesën dhe të shpallë pavlefshmëri të plotë të aktit hetimor, duke rivendosur garancitë ligjore dhe drejtësinë në procesin penal.

Kerkesa e Veliajt

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat