Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas debatit të hapur mes kryeministrit Edi Rama dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke u rreshtuar hapur në krah të kreut të qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Manja shkruan se beteja për prishjen e ndërtimeve pa leje nuk është një “tekë vere” e Ramës, siç u interpretua në fillim, por një aksion i domosdoshëm për Shqipërinë europiane.
“Nga padrejtësia nuk lind e drejta: beteja për territorin dhe Shqipërinë europiane! Koha po tregon se kjo nuk është as lojë politike e as manovër, por një betejë vizioni që lidhet drejtpërdrejt me horizontin e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Manja.
Ministri i Drejtësisë thekson se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në BE me “ndërtime pa leje, kioska dhe qoftehane mbi trotuare, pallate të shitur tre herë, varreza makinash apo plehra të hedhura në çdo cep të vendit”.
Sipas tij, kjo nuk është një përplasje mes Ramës dhe qytetarëve, apo mes qeverisë dhe gjyqësorit, por një betejë e qartë mes “interesit publik dhe paligjshmërisë”.
“Edi Rama nuk po sulmon askënd, përkundrazi, po thërret të gjithë në luftë kundër paligjshmërisë. Kush mbron paligjshmërinë, mbron prapambetjen. Kush ngrihet për ligjin, ngrihet për të ardhmen”, thekson Manja.
Në përfundim, ministri deklaron se mandati i katërt i socialistëve është zotim për të vendosur kontroll mbi territorin, për t’i dhënë fund kaosit dhe për të ndërtuar një Shqipëri të barabartë me vendet e Bashkimit Europian.



