Kandidati i listës së hapur i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, ka përsëritur akuzat se votat e tij në zgjedhjet e 11 majit janë manipuluar. Ai deklaroi se ka marrë mbi 8.200 vota, por se vullneti i qytetarëve është “tjetërsuar”.
Kalaja bëri të ditur se ka depozituar çështjen në SPAK, i cili, sipas tij, ka pranuar ekzistencën e veprës penale të “falsifikimit zgjedhor”, por ka lënë në kompetencën e Prokurorisë së Durrësit hetimin e mëtejshëm. Ai shtoi se, nëse konstatohet përfshirja e një grupi të strukturuar kriminal, dosja mund të rikthehet në SPAK.
“Kam marrë më shumë se 8.200 vota. Dua që të hapet KZAZ e Shijakut. Jam krenar që fushata ime ka kushtuar vetëm 6 milionë lekë të vjetra. Qytetarët nuk kanë besim që mbrohet vota, por unë ua kam thënë që votën do ua mbroj”, tha Kalaja.
Sipas tij, në disa kuti votimi janë rikuperuar 105 vota, duke dëshmuar se ka pasur parregullsi. Ai tha se “manipulimi” i votës mund të shihet lehtësisht përmes videove të KQZ.
“Vullneti i qytetarëve është deformuar. Kam besim se do jem në Parlament. Do kërkoj hapjen e kutive dhe çështjen do e çoj në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Kalaja, në një intervistë për News24.



