back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Rrezik për zgjedhjet lokale”/ Vangjeli: Veliaj u shkarkua për arsye politike

“Rrezik për zgjedhjet lokale”/ Vangjeli: Veliaj u shkarkua për arsye politike

Shkarkimi i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe zgjedhjet që pritet të mbahen për kreun e ri të bashkisë, kanë ndezur debatin politik dhe publik. Në emisionin “Trialog” në RTSH, analisti politik Lorenc Vangjeli e cilësoi vendimin si një “kontratë të grisur” mes Veliajt dhe votuesve të kryeqytetit.

Sipas Vangjelit, fakti që Veliaj ka munguar prej disa muajsh në detyrë, ndonëse ka qenë i ndaluar me masë sigurie, tregon se shkarkimi i tij nuk ishte thjesht formalitet ligjor, por i mbështetur mbi arsye politike. “Me Veliajn u dha shembulli se të njëjtin fat mund ta ketë edhe një kryebashkiak i minorancës,” u shpreh analisti, duke paralajmëruar se ky precedent dëmton garancitë kushtetuese të të zgjedhurve vendorë.

Ai shtoi se vendimi për krijimin e një vakumi në drejtimin e bashkisë është i rrezikshëm për vetë besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe marrëdhënien e zgjedhur–zgjedhës. “Mund të dalë një tjetër ‘Nesti Angoni’ që hedh akuza ndaj një zyrtari, dhe deri sa të sqarohet situata, dëmi është bërë,” theksoi Vangjeli.

Në krahun tjetër, juristë dhe ekspertë ligjorë kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si u zbatua ligji. Neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore parashikon humbjen e mandatit në rast mungese të pandërprerë mbi tre muaj, por nuk bën dallim mes mungesës “me arsye” apo “pa arsye”. Kjo e ka shtyrë kritikën të flasin për një dispozitë të paqartë, që mund të përdoret si mjet për goditje selektive politike.

Veliaj vetë e ka kundërshtuar procedurën, duke theksuar se nuk është informuar zyrtarisht mbi materialet e përdorura për shkarkimin dhe se nuk iu dha mundësia të mbrohej, ashtu si e kërkon e drejta kushtetuese.

Me Tiranën pa kryebashkiak dhe në prag të zgjedhjeve të reja, tensioni politik pritet të mbetet i lartë. Debati mbi ligjshmërinë dhe motivet e shkarkimit të Veliajt ka nxjerrë në pah mungesat ligjore dhe sfidat e funksionimit demokratik në pushtetin vendor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat