Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar kërkesën zyrtare për ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe kontrollin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025.
Sipas PD-së, procesi zgjedhor ishte i kompromentuar dhe i manipuluar, duke iu referuar katër rezolutave ndërkombëtare të miratuara nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), si dhe raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, i publikuar më 12 maj 2025.
Në kërkesë evidentohet se qeveria dhe institucionet e lidhura përdorën një sërë mekanizmash për të siguruar manipulimin e zgjedhjeve, duke përfshirë:
Shitblerjen dhe manipulimin e votës, përfshirë Diasporën;
Intimidimin e zgjedhësve dhe kontrollin mbi institucionet shtetërore;
Aktivizimin e sistemit kriminal të patronazhimit;
Abuzimin me subvencione, licenca për kultivimin e kanabisit, prokurime dhe punësime të paligjshme;
Kontrollin e medias dhe përdorimin e grupeve kriminale në fushatë;
Keqpërdorimin e të dhënave personale dhe manipulimin e sistemeve të votimit.
Komisioni Hetimor, i propozuar me 11 anëtarë, do të ketë për objekt:
Verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve qendrore dhe vendore dhe përdorimin e burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve të 11 Majit;
Vlerësimin e nevojës për ndërhyrje ligjore për të garantuar parimet e ligjshmërisë, integritetit, barazisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.