Një atentat mafioz ka tronditur pasditen e sotme zonën pranë aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilmando Dani, ndërsa u plagos rëndë miku i tij M. Sh., rreth 40 vjeç, i cili ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:20, në rrethrrotullimin pranë aeroportit, ku persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr ndaj automjetit tip “Mercedes-Benz S-Class” me të cilin po udhëtonin dy miqtë.
Si ndodhi atentati
Sipas burimeve hetimore, autorët kishin planifikuar me kujdes lëvizjet e viktimës. Ata e kanë ndjekur automjetin e Danit që prej momentit kur ka dalë nga parkingu i aeroportit. Për disa metra, dy automjete,t ai i viktimës dhe ai i autorëve, kanë lëvizur paralelisht, përpara se nga makina e atentatorëve të shpërthente një breshëri automatiku në drejtim të “Mercedesit” ku ndodheshin Dani dhe miku i tij.
Pas goditjeve të para, makina e Danit ka vazhduar të lëvizë për disa metra derisa është ndalur. Në atë moment, njëri prej atentatorëve, i maskuar dhe me kapuç, ka zbritur nga automjeti, është afruar pranë makinës së viktimës dhe ka qëlluar disa herë nga afër me pistoletë, për t’u siguruar se e kishte eliminuar përfundimisht.
Më pas, atentatori është kthyer me shpejtësi në makinën e grupit dhe është larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku pak minuta më vonë është gjetur e djegur një makinë tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur për atentatin.
Reagimi i policisë
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën menjëherë pas ngjarjes, duke ngritur pika kontrolli përgjatë akseve që lidhin Rinasin me Fushë-Krujën, Tapizën dhe Vorën.
Në terren janë angazhuar forcat e RENEA-s dhe të FNSH-së, ndërsa hetimet po drejtohen nga Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Tiranës.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë së aeroportit dhe bizneseve përreth, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se ngjarja ka të gjitha elementet e një larjeje hesapesh mafioze.
Viktima, Gilmando Dani, rezulton i njohur për policinë si person me precedentë penalë dhe me lidhje të mëparshme me grupe kriminale që veprojnë në Tiranë dhe në zonën e Fushë-Krujës.
Hetuesit po verifikojnë nëse atentati lidhet me konflikte të vjetra për përfitime financiare apo prishje pazari në aktivitetin kriminal, ndërkohë që po hetohet edhe mbi itinerarin e lëvizjes së viktimës gjatë orëve të fundit para atentatit.
Një tjetër atentat i stilit mafioz
Ngjarja e sotme ngjason me disa atentate të mëparshme të ndodhura përgjatë aksit Tiranë–Fushë-Krujë, ku autorët kanë përdorur të njëjtën metodë. Ndjekje e targetit, ekzekutim i shpejtë dhe më pas shkrumbimi i automjetit për të fshirë gjurmët.
Banorët e zonës kanë deklaruar se kanë dëgjuar shpërthime të forta arme automatike, që kanë shkaktuar panik te qytetarët që lëviznin në afërsi të aeroportit.
Ndërkohë, spitali i Traumës konfirmon se M. Sh., miku i viktimës, po lufton për jetën në reanimacion, pasi ka marrë plumba në kraharor dhe bark.
Deri në orët e mbrëmjes, policia kishte shoqëruar disa persona për verifikim, ndërsa një burim policor konfirmon për mediat se janë identifikuar dy të dyshuar si pjesë e grupit ekzekutues.
Hetimet janë përqendruar gjithashtu në komunikimet telefonike të viktimës dhe lëvizjet e tij të fundit, për të zbuluar nëse është tradhtuar nga dikush brenda rrethit të njohjeve të tij.
Ngjarja tronditëse pranë aeroportit “Nënë Tereza” ka rikthyer frikën për një valë të re atentatesh mafioze në vend, ndërsa autoritetet premtojnë “zbardhje të shpejtë të krimit” dhe ndëshkim shembullor për ekzekutorët.



