Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, foli sot në Komisionin për Çështjet Ligjore mbi projektbuxhetin e vitit 2026 për institucionin që drejton, duke bërë me dije se buxheti i parashikuar arrin në rreth 15 miliardë lekë.
Lamallari shpjegoi se ky buxhet, përveç pagesave dhe infrastrukturës së brendshme, synon menaxhimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe projektet e reja për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurisë në burgje.
“Kemi pasur mundësinë të rakordojmë buxhetin paraprakisht me Ministrinë e Financave. Buxheti prej 14.96 miliardë lekësh për Ministrinë e Drejtësisë plotëson të gjitha nevojat. Prioritare mbetet pjesa për menaxhimin e burgjeve, disa projekte të reja për burgjet, si edhe për godina të reja. Përfshihet edhe mjekësia ligjore dhe një institut model për trajtimin e të miturve,” – tha Lamallari.
Nga totali i buxhetit, sistemi i burgjeve merr pjesën më të madhe, rreth 9.75 miliardë lekë, të dedikuara për përmirësimin e kushteve të jetesës, rritjen e sigurisë dhe investime të brendshme.
Ndër projektet kryesore të parashikuara janë:
Ndërtimi i IEVP Kukës me një vlerë prej 225.3 milionë lekësh, për të lehtësuar ngarkesën e institucioneve ekzistuese dhe për të balancuar shpërndarjen gjeografike të burgjeve.
Rikonstruksioni i IEVP Fushë-Krujë, me një fond 100 milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe 220 milionë lekë nga donatorë dhe Ambasada Britanike, për rehabilitimin e plotë të infrastrukturës dhe rritjen e standardeve të jetesës dhe sigurisë për të dënuarit.
Përveç kësaj, 2.83 miliardë lekë janë parashikuar për përshpejtimin e zgjidhjes së dosjeve të mbetura në shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
“Buxheti është shumë konciz dhe nuk kërkon fonde shtesë. Përfshin shpenzime korrente dhe kapitale për projektet e brendshme, duke u fokusuar te efektiviteti dhe menaxhimi i mirë i burimeve,” – tha Lamallari.



