Bashkimi Evropian u bën thirrje aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë dhe në rajon të respektojnë vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të tregojnë përmbajtje pas reagimeve të forta që pasuan dënimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, thekson se Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur dhe se procedurat e zhvilluara prej tyre bazohen në parimin e përgjegjësisë individuale penale.
BE-ja merr në këtë mënyrë qëndrim edhe ndaj reagimeve që kanë ardhur në Kosovë dhe Shqipëri pas aktgjykimit të 16 shtatorit. Wigand nënvizon se vendimi nuk është përfundimtar, pasi personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë atë para një trupi gjykues të veçantë të shkallës së apelit.
“Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, deklaroi Wigand.
Ai shtoi se BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon të tregojnë përmbajtje, ndërsa procesi gjyqësor vijon nëpërmjet mekanizmave të parashikuar nga drejtësia.
Në të njëjtën linjë është edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier. Ai thekson se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen dhe rikujton se përgjegjësia penale është individuale.
Sipas Mercier, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë mbetet një pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Ai u bën thirrje aktorëve në rajon që të kontribuojnë në pajtimin dhe kapërcimin e ndarjeve të së kaluarës.
“Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i tejkalojnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Mercier.
Reagimi i BE-së vjen dy ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë, ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Pas vendimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi atë si padrejtësi, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti vendimin “marre”. BE-ja, ndërkohë, vendos theksin te respektimi i vendimeve gjyqësore, e drejta e apelimit dhe procesi i pajtimit në rajon.



