KreuAktualitetEkonomiaÇmimet e ushqimeve mbi rajonin/ Pse u tërhoq Ibrahimaj nga deklarata e...

Çmimet e ushqimeve mbi rajonin/ Pse u tërhoq Ibrahimaj nga deklarata e marsit?

Çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të jenë një shqetësim për familjet shqiptare, ndërsa vetë Ministria e Ekonomisë pranon se çmimet në vend janë mbi mesataren e vendeve të rajonit.

Në mars, në kulmin e debatit për shtrenjtimin e produkteve të shportës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria nuk mund të ndërhynte drejtpërdrejt për të ulur çmimet e ushqimeve.

“Nuk thamë që do të ndërhyjmë në çmime. Është e pamundur të ndërhyjmë në çmime”, deklaroi Ibrahimaj më 27 mars, duke sqaruar se qeveria do të monitoronte tregun dhe, nëse rritja do të vazhdonte, do të mbështeste shtresat që nuk arrinin t’i përballonin kostot.

Në prill, qëndrimi u konkretizua me mundësinë e një pakete subvencionimi për shtresat në nevojë, veçanërisht pensionistët, nëse rritja e çmimeve do të shtrihej në të gjithë produktet e shportës.

Por sot, Ibrahimaj e ka zhvendosur theksin te vetë mekanizmi që po mban çmimet të larta. Në takimin me supermarketet dhe furnitorët, ministrja tha se forcimi i lekut ndaj euros dhe rënia e inflacionit të importuar duhej të ishin reflektuar në çmimet që paguajnë konsumatorët.

Sipas saj, rreth 40% e produkteve të shportës importohen dhe, për këtë arsye, një lek më i fortë duhet të ndikojë në uljen e kostos së këtyre produkteve.

“Mbivlerësimi i lekut, pra forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar domosdoshmërisht në një reduktim të çmimeve”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo iu referua edhe të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave inflacioni i importuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka qenë në rënie. Për ministren, kjo e zhvendos vëmendjen te çmimet e produkteve vendase dhe te hallkat e zinxhirit të furnizimit.

“Po pse janë ato më të shtrenjta? Kush është hallka e zinxhirit që i rrit ato?”, tha Ibrahimaj.

Kështu, ndërsa në mars qeveria e përjashtonte ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në çmimet e ushqimeve, sot ministrja pranon se ka një problem që duhet analizuar dhe se përmirësimi i disa treguesve ekonomikë nuk po përcillet te konsumatori.

Por deri tani, masa konkrete e shpallur nuk është një ulje e detyruar e çmimeve. Qeveria po kërkon nga supermarketet dhe furnitorët më shumë transparencë dhe angazhim për produkte me çmime të ulëta. Në takimin e sotëm është diskutuar edhe mundësia që disa produkte bazë të shiten me fitim minimal ose zero deri në fund të vitit.

Sipas Ibrahimajt, vetëm një nga rrjetet e supermarketeve ka paraqitur listën e produkteve për këtë nismë.

Ndërkohë, për qytetarët, problemi mbetet i njëjtë, çmimet e ushqimeve janë ende të larta, ndërsa qeveria nuk ka njoftuar një mekanizëm të përgjithshëm që të detyrojë tregun t’i ulë ato.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat