KreuAktualitetEkonomia20.3 miliardë lekë për largimet nga puna/ Fatura që shteti ka paguar...

20.3 miliardë lekë për largimet nga puna/ Fatura që shteti ka paguar prej 2014

Miliarda lekë nga fondet publike janë përdorur ndër vite për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me largimet nga puna në institucionet shtetërore. Të dhënat e publikuara nga Open Spending Albania tregojnë se nga marsi i vitit 2014 deri në shtator 2026, në këtë kategori janë regjistruar 31,655 pagesa, me një vlerë totale prej rreth 20.3 miliardë lekësh.

Pagesat janë kryer nga 850 institucione, ndërsa në regjistër figurojnë 470 përfitues. Shumat kanë shkuar jo vetëm te individët, por edhe te banka dhe zyra përmbarimore, në varësi të mënyrës së ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Vitet me shpenzimet më të larta janë 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 janë regjistruar rreth 3.6 miliardë lekë, ndërsa në 2015 rreth 3.3 miliardë lekë. Në vitet pasuese shifrat kanë vijuar të jenë të konsiderueshme: 1.6 miliardë lekë në 2016, 1.8 miliardë në 2017 dhe 1.7 miliardë në 2018.

Edhe vitet e fundit tregojnë një faturë të konsiderueshme. Në vitin 2024 janë paguar rreth 1.1 miliardë lekë, ndërsa në 2025 rreth 1.2 miliardë lekë. Vetëm gjatë vitit 2026, deri në shtator, janë regjistruar rreth 702 milionë lekë pagesa në këtë kategori.

Të dhënat e muajit shtator tregojnë se pagesat vazhdojnë të kryhen nga institucione të ndryshme. Më 10 shtator, Aparati i Ministrisë së Shëndetësisë ka regjistruar një pagesë prej 25 milionë lekësh, me përshkrimin “Pagesë me vendim Gjykate Arold Zhukri”. Po atë ditë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kryer një pagesë prej 911 mijë lekësh për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Ndërsa më 4 shtator, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka regjistruar një pagesë prej rreth 27.9 milionë lekësh për Albchrome, të lidhur me shpenzime për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Në të njëjtën kategori janë edhe pagesa të kryera nga policia, bashkitë, administrata e burgjeve dhe institucione të tjera publike.

Shifrat japin një panoramë të kostos që vendimet gjyqësore për largimet nga puna kanë krijuar ndër vite për institucionet publike dhe, për rrjedhojë, për fondet e administruara nga shteti.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat