KreuAktualitetEkonomiaAeroporti i Vlorës/ Pacolli zbulon planin për tjetërsimin e koncesionit

Aeroporti i Vlorës/ Pacolli zbulon planin për tjetërsimin e koncesionit

Biznesmeni Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish për situatën e Aeroportit të Vlorës, duke deklaruar se çështja tashmë po shkon drejt drejtësisë ndërkombëtare.

Në një reagim të publikuar prej tij, Pacolli thotë se ajo që fillimisht është paraqitur si një mosmarrëveshje mes ortakëve, sipas tij, fshihte një tjetër problem. Ai pretendon se bëhet fjalë për një plan të qëllimshëm për tjetërsimin e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

“Çështja e Aeroportit të Vlorës, kundër dëshirës sime, po kalon në duart e drejtësisë ndërkombëtare. Tani po shihet se problemi nuk ka qenë dhe nuk është mosmarrëveshja në mes dy ortakëve, por një plan i qëllimshëm që kishte për qëllim tjetërsimin e këtij koncesioni, që tani po realizohet”, shkruan Pacolli.

Biznesmeni thotë se për më shumë se një vit ka kërkuar dialog dhe një zgjidhje për situatën, ndërsa pretendon se kërkesat e tij për identifikimin e shkaktarëve të problemit dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës nuk kanë marrë përgjigje.

Pacolli thekson se është i gatshëm që çdo dokument dhe veprim i tij të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sipas tij, ato nuk duhet të konsiderohen si akuza, por si paraqitje e fakteve dhe rrethanave që kanë çuar në situatën aktuale.

Ai thotë gjithashtu se ka bërë përpjekje për të shmangur arbitrazhin, por tashmë çështja po kalon në këtë rrugë.

Pavarësisht përplasjes për koncesionin, Pacolli thotë se qëndrimi i tij për Aeroportin e Vlorës nuk ka ndryshuar.

“Jemi të gatshëm t’ia nënshtrojmë çdo dokument dhe çdo veprim shqyrtimit të institucioneve kompetente. Ato nuk duhet të konsiderohen si akuza nga ana jonë, por vetëm si paraqitje reale e fakteve. Kemi bërë çdo përpjekje për ta shmangur arbitrazhin”, shprehet ai.

Pacolli deklaron se dëshira e tij mbetet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në shërbim të qytetarëve.

“Për këtë kam investuar, kam punuar dhe për këtë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi”, shkruan biznesmeni.

Në fund të reagimit, Pacolli shpreh shqetësimin se nëse çështja përfundon me një kompensim financiar për dëmet e pretenduara, barra mund të rëndojë mbi buxhetin e shtetit dhe qytetarët.

“Më dhemb mendimi se një kompensim i mundshëm për dëmet, të cilat janë të mëdha, do të rëndonte mbi buxhetin publik dhe, përfundimisht, mbi qytetarët shqiptarë, e fatkeqësisht jo mbi personat që e kanë shkaktuar këtë situatë dhe tani po përfitojnë prej saj”, shprehet Pacolli.

Ai e mbyll reagimin duke thënë se pas një jete pune dhe investimesh në vende të ndryshme, e konsideron veçanërisht të dhimbshme situatën me Aeroportin e Vlorës.

“Pas një jete pune në shumë vende, më dhemb veçanërisht që pikërisht kjo vepër, në vendin tim, me qeverinë time dhe në dëm të qytetarëve të mi, po përballet me atë që unë e konsideroj një padrejtësi të rëndë”, përfundon Behgjet Pacolli.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat