Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur të marrë në shqyrtim çështjen e 36 studentëve të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës (UTT), të cilët kërkojnë shfuqizimin e dispozitave të Ligjit 60/2023 që i detyron ata të punojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve ose të paguajnë koston e plotë të shkollimit.
Në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese shqiptare la në fuqi ligjin, duke ulur periudhën e detyrimit të punësimit nga pesë në tre vjet. Sipas vendimit të Kushtetueses, disa dispozita të ligjit kufizonin në mënyrë të palejueshme të drejtën e zgjedhjes së vendit të punës dhe të sigurimit të mjeteve të jetesës. Gjithsesi, ligji u ndryshua në shtator 2024 nga Parlamenti për t’u përshtatur me vendimin e Kushtetueses, duke parashikuar punësim brenda vendit për tre, dy ose një vit, në varësi të vitit të regjistrimit të studentit, ose detyrimin për të paguar koston e mbetur të arsimit.
Studentët ankohen para Gjykatës së Strasburgut se dispozitat e ndryshuara:
nuk janë të arsyeshme dhe nuk ndjekin një qëllim legjitim;
kufizojnë të drejtën për jetë private dhe aktivitete profesionale (neni 8 i Konventës);
mbajtja e diplomave deri në përfundimin e periudhës së punësimit nuk është proporcional dhe e parashikueshme (neni 2 i Protokollit Nr. 1);
krijon diskriminim për studentët në situatë ekonomike më të pafavorshme (neni 14 i Konventës).
Ky shqyrtim vjen pas një serie ankesash nga studentët që pretendojnë se Ligji 60/2023 nuk respekton lirinë e zgjedhjes së vendit të punës dhe krijon një barrë të rëndë financiare për ata që nuk mund të paguajnë koston e plotë të studimeve mjekësore.
Gjykata e Strasburgut do të vendosë nëse dispozitat e ligjit janë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nëse të drejtave të studentëve iu është bërë shkelje e padrejtë.



