back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaMalaj sqaron "Paqen Fiskale"/ "Nuk ka amnisti penale, falen vetëm borxhet e...

Malaj sqaron “Paqen Fiskale”/ “Nuk ka amnisti penale, falen vetëm borxhet e vjetra”

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Kuvend se iniciativa e quajtur “Paqja Fiskale” nuk përbën amnisti dhe nuk fal asnjë përgjegjësi penale për personat nën hetim apo në procese gjyqësore.

“Ne nuk po ndërmarrim një amnisti. Nëpërmjet ‘Paqes Fiskale’ nuk falim përgjegjësi penale dhe nuk garantojmë imunitet për askënd. Synimi është përmirësimi i administrimit tatimor dhe mbyllja e borxheve të vjetra të parashkruara,” tha Malaj.

Ai theksoi se projektligji synon mbylljen e kapitullit të borxheve të vjetra dhe se Administrata Tatimore do të forcojë masat për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë bllokimin e llogarive bankare, konfiskimin dhe shitjen e aseteve.

Marrëveshja e Paqes Fiskale do të zbatohet gjatë viteve 2026–2028 dhe synon të rrisë deklarimet e rregullta për bizneset që duan të përfshihen në mënyrë vullnetare. Sipas ministrit, nuk do të falen detyrimet e evazorëve që janë nën ndjekje penale apo që kanë vendim të formës së prerë.

Malaj njoftoi gjithashtu se nga viti 2026 do të hyjnë në fuqi lehtësitë e ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, duke përfshirë uljen e taksës për çdo fëmijë nën 18 vjeç me 48.000 lekë nga të ardhurat vjetore. Kjo masë pritet të rikthejë rreth 1.5 miliardë lekë në buxhetin e familjeve shqiptare.

Ministri sqaroi se një miliard lekë të alokuara për bashkitë do të përdoren vetëm për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe theksoi se buxheti i shtetit nuk paguan asnjë lek për inceneratorët. Eksportet janë trefishuar që nga viti 2013, duke arritur 9.1 miliardë euro në vitin 2024, ndërsa rritja e të ardhurave në buxhet është rezultat i mirëadministrimit tatimor dhe zbatimit të strategjisë afatmesme.

Malaj përfundoi duke theksuar se projekti i buxhetit nuk parashikon rritje taksash, ndërsa fokusohet në përmirësimin e administrimit tatimor dhe mbështetjen e biznesit dhe familjeve shqiptare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat