Zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, reagoi sot në Kuvend për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj, duke theksuar se nuk do të flasë kurrë kundër drejtësisë, edhe kur është prekur personalisht.
Gjatë fjalës së saj, Balluku drejtoi kritika të ashpra ndaj opozitës, duke thënë se ajo vepron me dy standarde: kur preket ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sipas saj, SPAK “goditet”, ndërsa kur bëhet fjalë për figura të maxhorancës, veprohet ndryshe.
“Duhet të them disa fjalë jo për të kompensuar baltën, aludimet dhe gjysmat e të vërtetave, por për detyrimin ndaj kujtdo. Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza apo sulme ndaj drejtësisë së re, edhe kur prekem personalisht. As lëvdata e himne, pasi besoj se kjo drejtësi e re, produkt i vullnetit të PS dhe Ramës, po kryen misionin për të cilin u reformua, me pikat e saj të dobëta dhe të forta. Si çdo gjë e re, ajo konsolidohet dita-ditës,” tha Balluku.
Ajo shtoi se nuk do të prononcohet kurrë për çështje në hetim, deri sa e vërteta të marrë formë të prerë, dhe se si anëtare e Partisë Socialiste mbështet plotësisht reformën në drejtësi dhe produktet e saj, edhe kur preket personalisht.
“Ndryshe nga sa thoni ju, PS është formacioni politik serioz dhe i vetmi në Shqipëri ku fjala e secilit dëgjohet dhe ka peshë. Kjo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialistit, ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment për punën e saj. Por çështja qëndron tek ju, të nderuar opozitarë që më ndiqni nga kafja e parlamentit, keni dy standarte sa i përket reformës dhe SPAK,” shtoi Balluku.
Zv.kryeministrja theksoi se opozita sillet ndryshe kur SPAK thërret Sali Berishën për ngjarje të rëndësishme, si vrasjet shtetërore të 21 janarit. Ajo akuzoi opozitën se manipulon procesin dhe krijon propagandë përmes zarfeve dhe materialeve mediatike që, sipas saj, vonojnë drejtësinë për qytetarët.
Balluku u shpreh se qëndrimi i saj dhe i Partisë Socialiste është i qartë dhe i qëndrueshëm: mbështetje e reformës në drejtësi dhe respekt për institucionet, duke mos u përfshirë në akuza politike ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve. Ajo nënvizoi se çdo kritikë apo sulm politik që lidhet me SPAK dhe reformën nuk e ndryshon angazhimin e saj për të respektuar ligjin dhe institucionet.
Deklaratat e Ballukut vijnë në një kohë kur akuzat dhe hetimet e SPAK kundër figurave të maxhorancës janë në fokus të mediave, dhe kur opozita po përpiqet të përdorë çështjet e drejtësisë për të goditur qeverinë. Zv.kryeministrja duket se ka synuar të dërgojë një mesazh të fortë se PS mbështet reformën dhe nuk do të ndikojë në proceset e pavarura të drejtësisë, edhe nëse këto procese prekin figura të rëndësishme të saj.
Balluku përfundoi fjalën e saj duke theksuar se partia dhe institucionet do të vazhdojnë të mbështesin reformën, ndërsa opozita duhet të heqë dorë nga dy standardet dhe manipulimi i drejtësisë për interesa politike.



