back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet"Balluku" ndez debatin në Komision/ Kaso dhe Xhafaj përplasen

“Balluku” ndez debatin në Komision/ Kaso dhe Xhafaj përplasen

Debat i tensionuar është shënuar në mbledhjen e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, pasi zv.kryeministres Belinda Balluku iu pezullua ushtrimi i detyrës dhe iu ndalua dalja jashtë vendit në kuadër të hetimeve të SPAK.

Demokrati Ivi Kaso deklaroi se situata është “e pazakontë” dhe se numri dy i qeverisë, ndonëse është marrë e pandehur dhe ndaj saj është vendosur masë sigurie, ka refuzuar të japë dorëheqjen. Sipas tij, kjo prek jo vetëm mazhorancën por edhe funksionimin institucional të Kuvendit dhe komisioneve parlamentare.

“Sot nuk mund të vijojmë si normalisht. Zv.kryeministrja është nën akuzë, me pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte. Pritshmëritë e publikut që drejtësia të funksionojë janë të larta, por opozita nuk mund të jetë e kënaqur me faktin që ajo refuzon të largohet nga detyra,” u shpreh Kaso. Ai kërkoi një rishikim të qëndrimit institucional ndaj mbështetjes për SPAK, duke nënvizuar se përgjegjësia politike bie mbi kryeministrin.

Ndërhyrja e Fatmir Xhafajt nuk vonoi. Deputeti socialist e cilësoi ndërhyrjen e Kasos jashtë rendit të ditës dhe e akuzoi për qëndrim të fragmentuar ndaj drejtësisë.

“Kjo nuk është në rendin e ditës. Ne jemi për të respektuar drejtësinë. Ju sot e quani SPAK, ndërsa kolegët tuaj e quajnë ‘Skap’. Drejtësia është atje të bëjë punën e vet, ne këtu bëjmë tonën,” tha Xhafaj, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme ka mbështetjen më të madhe institucionale të mundshme dhe nuk ka kërkuar fonde shtesë.

Ai theksoi se drejtësia nuk mund të funksionojë me dy standarde, duke u bërë thirrje demokratëve të mbajnë të njëjtin qëndrim edhe për çështjet që prekin opozitën.

Debati u mbyll mes tensioneve, ndërsa diskutimet për buxhetin vijuan me polemika mbi rolin e Kuvendit në raport me sistemin e drejtësisë dhe çështjen e zyrtarëve të lartë nën hetim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat