back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaQeveria sfidon GJKKO-në/ Rama çon në Kushtetuese pezullimin e Ballukut

Qeveria sfidon GJKKO-në/ Rama çon në Kushtetuese pezullimin e Ballukut

Këshilli i Ministrave i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e akuzuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shkelje të barazisë në tendera në dy procedura të rëndësishme publike.

Në shkresën drejtuar Kushtetueses, Kryeministria argumenton se vendimi i GJKKO-së ka prekur funksionimin normal të qeverisë, duke penguar ushtrimin e detyrës së një prej institucioneve më të larta ekzekutive në hierarkinë shtetërore. Sipas Këshillit të Ministrave, vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën e duhur për të interpretuar kufijtë e pushteteve dhe për të përcaktuar nëse pezullimi i Ballukut është në përputhje me Kushtetutën.

Qeveria kërkon tre vendimmarrje kryesore nga Gjykata Kushtetuese:

  1. Shfuqizimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën ku është vendosur masa ndaluese e ushtrimit të funksionit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku;

  2. Pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi, derisa Kushtetuesja të përfundojë shqyrtimin e plotë të kërkesës së paraqitur nga qeveria;

  3. Interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave, duke sqaruar nëse një gjykatë e shkallës së posaçme mund të ndërhyjë në ushtrimin e detyrave të një ministri apo zëvendëskryeministri.

Sipas dokumentit zyrtar, qeveria vlerëson se vendimi i GJKKO-së rrezikon funksionimin kushtetues të ekzekutivit, duke bllokuar një prej figurave kyçe të strukturës së qeverisjes në Shqipëri. Balluku, si numri dy i kabinetit, ka kompetenca të rëndësishme në drejtimin e vendit, përfshirë ushtrimin e të gjitha detyrave të kryeministrit në mungesë të tij — me përjashtim të propozimeve për ndryshime në qeveri, të cilat mbeten ekskluzive të kryeministrit.

SPAK akuzon zëvendëskryeministren Balluku për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera” në dy procedura të mëdha publike: projektin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe tre lotet e punimeve të Unazës së Madhe të Tiranës. Masa e pezullimit nga detyra u vendos nga GJKKO si një masë sigurie, ndërsa hetimet kanë vijuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me interes të lartë publik, pasi caktimi i kompetencave të institucioneve dhe balancimi i pushteteve ekzekutive e gjyqësore në raste të tilla përbën një precedent të rëndësishëm për të ardhmen. Qëndrimi i Kushtetueses do të përcaktojë nëse Belinda Balluku mund t’i rikthehet detyrës gjatë hetimit apo nëse masa e pezullimit do të mbetet në fuqi.

Çështja ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale, ndërsa vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e qeverisë dhe në ecurinë e reformës në drejtësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat