Sipas European Housing Trends Report 2025 nga RE/MAX Europe, rreth 75% e evropianëve me kredi për banesë u detyruan të reduktojnë shpenzimet për të përballuar pagesat e hipotekës. Shumica e tyre u ulën shpenzimet për daljet, artikujt luksoz dhe pushimet.
Në 23 vendet e studiuara, vetëm 25% e huamarrësve nuk patën nevojë të kursejnë apo të gjejnë alternativa për të paguar hipotekën. Kjo përqindje ndryshon nga 7% në Maltë dhe Rumani deri në 44% në Holandë, ku thuajse gjysma e huamarrësve nuk kanë problem me pagesat.
Në disa vende, përfshirë Maltën, Rumaninë, Hungarinë, Irlandën, Turqinë, Slloveninë, Greqinë, Kroacinë dhe Italinë, pjesa e atyre që nuk kanë pasur nevojë të reduktojnë shpenzimet është nën 15%, duke treguar presion të madh mbi buxhetin e familjeve. Në vendet ku huamarrësit ndihen më të sigurt janë Lituania (42%), Mbretëria e Bashkuar (37%) dhe Zvicra (36%).
Sipas raportit, më të prekshmit janë shpenzimet për argëtim (41%) dhe artikuj luksoz (38%), ndërsa pushimet dhe veshjet renditen më pas. Në vende me presion të lartë mbi buxhetin, si Greqia, Hungaria, Rumania dhe Turqia, njerëzit reduktojnë edhe shpenzimet për artikuj të domosdoshëm. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Zvicër, Lituani dhe Luksemburg, uljet janë më selektive dhe të buta.
Sekretari i European Mortgage Federation, Luca Bertalot, tha se debati politik mbi banesat dhe aftësinë për të paguar hipotekat është shumë i rëndësishëm. Ai shtoi se, pavarësisht llojit të hipotekës (fikse apo variabile), kostot e energjisë dhe shpenzimet e domosdoshme mbeten faktorë të paparashikueshëm që sfidojnë buxhetin familjar.



