Gazetari Osman Stafa është përballur me mesazhe kërcënuese pasi prej ditësh po denoncon mungesën e ilaçeve, pajisjeve dhe abuzimet e dyshuara në Spitalin Onkologjik. Përmes një adrese anonime në rrjetet sociale, gazetariti i është dërguar një mesazh me gjuhë fyese dhe intimidues, ku i kërkohej të mos paraqitej më në ambientet e Onkologjikut dhe të ndalonte raportimet mbi situatën alarmante në këtë institucion.
Pas marrjes së kërcënimeve, Stafa është paraqitur në Policinë e Shtetit dhe ka bërë kallëzim penal. Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe çdo person tjetër të përfshirë në kërcënimin ndaj tij.
Megjithëse nën presion, gazetari Osman Stafa deklaron se nuk do të tërhiqet nga puna e tij dhe do të vazhdojë investigimet për të nxjerrë në dritë abuzimet që, sipas tij, rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale. Në denoncimet e ditëve të fundit, Stafa ka zbuluar mungesa serioze të medikamenteve jetike dhe vështirësi të mëdha me të cilat përballen pacientët dhe familjarët e tyre.
Rasti ka ngritur shqetësim mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve që raportojnë mbi korrupsionin dhe problemet në shërbimet shëndetësore.



