back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaZinxhiri i AKSHI-t shtrihet në Polici/ Kush është zv.drejtori i pezulluar nga...

Zinxhiri i AKSHI-t shtrihet në Polici/ Kush është zv.drejtori i pezulluar nga SPAK?

Aksioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i lidhur me hetimet për aferën e dyshuar të tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka sjellë zhvillime të reja të rëndësishme. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga ushtrimi i detyrës” për Erion Ismailin, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës.

Erion Ismaili

Sipas burimeve, Ismaili dyshohet se ka lidhje me Ergys Agasin, një prej personave ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, por që ende nuk është ekzekutuar. Kjo lidhje është bërë pjesë e hetimit të SPAK, në kuadër të zbardhjes së rrjetit të personave të përfshirë në skemën e dyshuar të abuzimeve me tenderat publikë.

Masat e sigurisë lidhen drejtpërdrejt me dosjen e AKSHI-t, ku autoritetet dyshojnë për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Në këtë kuadër, GJKKO ka vendosur masën “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa Ermal Beqiraj, biznesmen, është lënë në masën “arrest me burg”.

Hetimi është shoqëruar edhe me kontrolle të zhvilluara nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në disa zona të Tiranës, përfshirë Kodrën e Diellit, ku janë sekuestruar materiale që pritet t’i shërbejnë hetimit. Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se dosja është ende në fazë aktive hetimi dhe se priten zhvillime të tjera, përfshirë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj Ergys Agasit.

Përfshirja e një drejtuesi të lartë të Policisë së Tiranës në këtë dosje ka shtuar ndjeshëm peshën e hetimit, duke e shtrirë atë përtej administratës civile dhe duke prekur edhe strukturat e rendit dhe sigurisë publike.

SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar lidhur me detajet e hetimit, ndërsa burime pranë çështjes theksojnë se hetimet po vijojnë në disa pista, me fokus zbardhjen e plotë të rolit të secilit person të dyshuar në aferën e tenderave të AKSHI-t.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat