Gjykata e Tiranës ka marrë këtë të mërkurë vendimin lidhur me katër protestuesit e arrestuar gjatë protestës së Partisë Demokratike, e cila u zhvillua të hënën para Kryeministrisë.
Trupa gjykuese ka vendosur lirimin e katër të arrestuarve, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Protestuesit që u lanë në liri janë Albi Kryeziu, Erlis Sina, Xhekson Dedaj dhe Artan Hysenaj.
Ndërkohë, lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës, autoritetet kanë proceduar penalisht edhe gjashtë persona të tjerë, mes të cilëve edhe një i mitur 16-vjeçar. Procedimi është kryer në gjendje të lirë.
Protesta e Partisë Demokratike u shoqërua me tensione, ku gjatë zhvillimit të tubimit disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas njoftimeve zyrtare, ndaj efektivëve janë hedhur edhe lëndë djegëse, përfshirë molotovë, duke shkaktuar përplasje dhe rrezik për rendin publik.
Ngjarja u pasua me ndërhyrjen e forcave të policisë, ndërsa katër persona u arrestuan në flagrancë. Pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë dhe mbrojtjes, gjykata vendosi që masa e sigurisë të jetë më e lehtë, duke i lënë të dyshuarit në liri me detyrim paraqitjeje.
Hetimet për incidentet e ndodhura gjatë protestës vijojnë, ndërsa pritet që prokuroria të kryejë veprime të mëtejshme procedurale për personat e përfshirë në dhunë dhe shkelje të rendit publik.



